Telenovela e së ardhmes së Kylian Mbappe ka shënuar një tjetër kthesë në serialin e radhës. Atëherë kur dukej se Paris SG-ja po lëshonte pak e nga pak çdo ditë, në fakt parisienët kanë bërë hapa gjigantë përpara në përpjekjet e tyre për të mbajtur në skuadër sulmuesin e kombëtares franceze.

Kontrata e Mbappe me PSG-në përfundon në fund të sezonit, por në Paris po kërkojnë me çdo kusht që ai të vijojë bashkëpunimin me klubin edhe përtej këtij sezoni.

Deri më tani Mbappe ka refuzuar çdo ofertë nga klubi francez, pasi ai e sheh veten te Reali i Madridit. Nga ana e vet, “Los Blancos” kanë bërë të gjitha lëvizjet tyre për ta shtyrë kampionin e botës me Francën që të refuzojë ofertat e njëpasnjëshme të Parisit dhe të transferohet në Madrid me parametra zero në fund të sezonit.

Strategjia e ndjekur nga Reali i Madridit ka funksionuar, por në orët e fundit situata ka ndryshuar, sepse me sa duket, klubi francez ka gjetur çelësin për të bindur Mbappe të firmosë rinovimin e kontratës.

SINJALET – Të parat ishin dhënë prej disa ditësh, kur PSG-ja i kishte ofruar një kontratë disi ndryshe nga ato që jemi mësuar me klubet e mëdha dhe lojtarët e rëndësishëm.

Me paratë që nuk përbënin problem as për klubin dhe as për lojtarin, PSG-ja ka zgjedhur ta joshë Mbappe me dy lëvizje që duket se kanë zënë të papërgatitur Realin. Së pari, Parisi i ka ofruar një rinovim afatshkurtër, që nënkupton një kontratë të re për një ose dy sezone.

Ndërkaq, sipas “RMC Sport”, Parisi i ka premtuar Mbappe edhe dy afrime të rëndësishme në merkato. Emrat kryesorë që qarkullojnë këto ditë në Paris janë Frank Kesi nga Milani dhe Pol Pogba nga Manchester United. Këto lëvizje të Parisit e kanë zbutur disi qëndrimin e Mbappe, i cili duket më i hapur për të qëndruar në kryeqytetin francez përtej vitit 2022.

REAGIMI – Nga Spanja, mediat pranë Realit kanë bërë me dije se lëkundja e Mbappe nuk është pritur aspak mirë në Madrid. Sipas tyre, Reali do të kërkojë nga Mbape firmën e menjëhershme në këtë sezon, ose në të kundërt, marrëveshja mund të mos realizohet.