Pas qenve endacak këta kuaj prej disa ditësh lëvizin të lirë në rrugët e qytetit të Shkodrës. Dhjetra qytetarë dhe turistë të huaj janë bërë kureshtarë se si ka mundësi që kuajt sillen kaq lirshëm në mes të ditës në zonat kryesore të Shkodrës, siç janë edhe pedonalet.

Prej tre ditësh këto kuaj lëvizin në pjesë të ndryshme të qytetit ndërsa institucionet përgjegjëse mesa duke nuk i kanë parë ende. Prania e kuajve në këto tre ditë përtej disave që argëtohen duke bërë foto e video për një pjesë tjetër është një shqetësim i madh. Fillimisht problemi kryesor mbetet rrezikshmëria që mund të sjellin këto kuaj në rrugët e qytetit edhe pse deri tani janë treguar të mëshirshëm duke mos sulmuar asnjë kalimtarë. Nga ana tjetër një problem është edhe çështja e imazhit të qytetit në këto ditë kur ndodhemi në pikun e sezonit turistik.

Prania e turistëve të huaj por edhe vizitorëve vendas në Shkodër është e lartë ndaj përballja me këto kuaj në zemër të qytetit dëmton sa i përket imazhit. Kjo është një histori që përsëritet sepse edhe pak kohë më parë disa kuaj dolën në rrugët e qytetit ndërsa njëri prej tyre edhe u aksidentua me një automjet. Institucionet qëndrojnë në heshtje duke mos marrë në kohë masat e duhura si dhe duke mos proceduar pronarët e këtyre kuajve apo nëse s’kanë pronarë të bëhet sekuestrimi i tyre siç e parashikon ligji.

Kuajt e gjorë janë të pafajshëm ndërsa këto tre ditë kanë bërë qejf duke soditur gjithë qytetin edhe pse e kanë patur të vështirë për ushqim dhe ujë duken të lumtur në këtë shëtitje plotësisht të lirë rrugëve të Shkodrës. Tashmë duhet të presim se cilat do jenë kafshët e radhës që do i bashkohen tufës së qenve apo kuajve. Fundja Shkodra nuk ka një kopshtë zoologjik!

 

Artikulli paraprakPSE NUK U FTUAT EDHE OPOZITËN NË HAPJEN E NEGOCIATAVE? RAMA: NUK E DIMË SE KUSH ËSHTË KUSH TE OPOZITA
Artikulli tjetër19 VATRA ZJARRI GJATË 24 ORËVE NË SHKODËR