KALNDESTINËT PO TENTONIN TË KALONIN ILEGALISHT DREJT VENDEVE TË BASHKIMIT EUROPIAN. Policia e Shkodrës ka ndaluar 81 klandestinë nga vendet e Lindjes së Mesme të cilët kishin hyrë ilegalisht.

Ata janë ndaluar në afërsi të pikës së kalimit kufitar në Hanin e Hotit. Sipas policisë, klandestinët po tentonin të emigronin drejt vendeve të Bashkimit Evropian, duke kaluar nëpër Shqipëri si vend transit. Në orët e para të mëngjesit të së shtunës, 21 mars, policia e kufirit dhe migracionit në Shkoder arriti të ndalojë 81 klandestinë që po tentonin kalimin ilegal të kufirit nga dogana e Hanit të Hotit. 54 sirian, 16 nga Mali, 6 nga Gana, 3 nga Haiti, dhe 2 klandestin nga Motojate u gjetën brenda një kamioni që drejtohej nga shtetasi Gentian Gjonaj nga Laçi i Kurbinit, i cili u vu menjëherë në pranga nga shërbimet policore. 81 klandestinët ishin sistemuar në pjesën e pasme të automjetit, në rimorkion që shërbente për transport të barit të thatë për bagëti. Të gjithë klandestinët ishin sistemuar në gjysmën e rimorkios, me shpresën se nuk do të pikaseshin nga policia e kufirit. Siç raportojnë burimet policore të Shkodres, 81 klandestinët kanë shkelur në tokën shqiptare përmes territorit grek, ndërsa mbetet e paqartë mënyra se si ata kanë lëvizur brenda territorit për të mbërritur deri në Shkoder, e saktësisht në pikën e kalimit kufitar të Hanit të Hotit, ku edhe janë ndaluar nga policia e kufirit.Vetëm një javë më parë nga kjo pikë kalimi kufitare që lidh Shqipërinë me Malin e Zi, policia ndaloi 50 shtetas të tjerë sirian që synonin kalimin ilegal të kufirit për në shtetin fqinj, e më pas për të vijuar udhëtimin drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Artikulli paraprakAMORTIZIMI I SHINAVE TË TRENIT
Artikulli tjetër21 MARSI, DITA NDËRKOMBËTARE E PYJEVE