EUROPARLAMENTARI TAKOHET ME LIDERËT E POLIKËS SHQIPTARE. Në misionin e tij për të ndërmjetësuar marrëveshjen mes të majtëve dhe të djathtëve dhe dhënien fund të bojkotit 5-mujor të opozitës, eurodeputeti Eduard Kukan takoi mëngjesin e kësaj të hënë në Tiranë liderët politikë, brenda 3 orëve.

Takimi i parë nisi në orën 08:00 të mëngjesit me kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha ku për rreth 50 minuta Kukan dëgjoi kërkesat për rikthimin e demokratëve në Parlament. Sipas deputetit të Parlamentit Evropian, dialogu politik është i rëndësishëm për rrugën që vendi ynë po ndjek drejt Bashkimit Evropian. Pas takimit tetë a tetë me Bashën, eurodeputeti mbërriti në kryeministri rreth orës 09:00 ku takoi kreun e qeverisë Edi Rama përreth 40 minuta. Në përfundim të takimit, Kukan nuk mbajti prononcim për mediat ndërsa iu drejtua selisë se Kryesisë së Kuvendit ku takoi kryeparlamentarin Meta, përreth 40 minuta. Edhe largimi nga Kuvendi ka qenë pa një prononcim për media të të deleguarit të PE-së, ndërsa i vetmi nga liderët politikë që ka zgjedhur të komentojë takimin dhe të japë detaje për publikun, ishte kryeparlamentari Meta. Takimet e deputetit të Parlamentit Europian me liderët e politikës shqiptare pritet të jenë vendimtarë për zgjidhjen e ngërçit politik, ku pritet të dalë një marrëveshje konkrete për rikthimin e opozitës në seancën e 24 dhjetorit në Parlament.