
Prona mbi 200 vjeçare e Gjon Marka Gjonit, ish- senator i Mbretërisë Italiane dhe prijës i shquar i zonës së Mirditës, është bërë shkak i një konflikti mes banorëve të lagjes Vasil Shanto në Shkodër dhe trashëgimtarëve të fisit Gjomarkaj.
Punimet e nisura prej disa muajsh nga trashëgimtarja Bianca Gjomarkaj për rrethimin e zonës kanë irrituar banorët, të cilët kërkojnë hapësirë të mjaftueshme në perimetrin përreth pallateve. Ata pranojnë ligjshmërinë e tokës, por bëjnë thirrje që të gjendet një zgjidhje nga shteti duke kompensuar pronarët dhe jo uzurpuar atë pak hapësirë që u ka mbetur.
Banorët thonë se nuk kanë arritur të marrin asnjë informacion në bashki sa i përket punimeve që po kryhen. Ndërkaq trashëgimtarja e pronës ka siguruar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, dokumentin e pronësisë dhe lejen e ndërtimit. Ndërkohë, këshillatrët e Bashkisë Shkodër që ishin të pranishëm mbështetën qytetarët në kërkesën e tyre për hapësirë publike në këtë bllok pallatesh.
Kandidatja për deputete e Partisë Socialiste Senida Mesi bëri thirrje që bashkia Shkodër t’u japë informacion banorëve. Një pjesë e madhe e hapësirës qendrore mes pallateve në lagjen Vasil Shanto të Shkodrës është pronë e trashëgimtarëve të fisit Gjomarkaj. Punimet që kanë nisur tashmë prej muajsh për pastrimin dhe më pas rrethimin e kësaj prone private kanë krijuar përplasje të përsëritura dhe konflikte.






