NJË PJESË E QYTETIT TË KUMANOVËS ËSHTË NË SHTETRRETHIM TË PLOTË.  Lagjja “Trimat” në Kumanovë e banuar tërësisht nga shqiptarët është kthyer në një betejë të fuqishme të armatosur, kur krismat me armë zjarri që shpërthyen në 05:00 të mëngjesit e që zgjatën prej më shumë se dy orësh tmerruan banorët.

Një pjesë e qytetit të Kumanovës është në shtetrrethim të plotë nga policia maqedonase, aksion në të cilin është përfshirë edhe ushtria, ndërsa mediat vendase janë të vetmet që flasin për viktima, pasi deri më tani asgjë nuk është konfirmuar nga autoritetet zyrtare. Sipas Zhurnal, 5 shqiptarë kanë mbetur të vrarë nga breshëria e plumbave, mes tyre tre të moshuar, një vajzë 8-vjeçare dhe prindi i saj. Gjithashtu jo zyrtarisht flitet për një polic të vrarë dhe 9 të tjerë të plagosur   Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme Ivo Kotevski, aksioni i policisë maqedonase u ndërmor pas informacioneve për lëvizje të një grupi të armatosur në atë pjesë të Kumanovës. Nga videot amatore që janë shfaqur në mediat maqedonase, në disa shtëpi shihet duke dalë tymi. Zhurnal shkruan se policia maqedonase ka nisur arrestimet masive të qytetarëve shqiptarë të kësaj zone, ku në foto shfaqet edhe një fakt tronditës, ai i arrestimit të një të moshuare.  Forcat të shumta të policisë dhe të ushtrisë janë shtuar në numër.  Konflikti i dhunshëm me armë, plumbat e të cilëve sipas dëshmive të banorëve kanë depërtuar në shtëpitë e tyre, dhe helikopterët mbi qytet kanë krijuar një atmosferë lufte në lagjen “Trimat” të banuar nga shqiptarët, rreth 700 metra nga qendra e qytetit. Ndërkohë Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoni ka apeluar qytetarët e Kumanovës për vetëpërmbajtje dhe gjakftohtësi. Në një deklaratë për mediat, partia e Ali Ahmetit shprehet se destabilizimi nuk është në interes të vendit. Analistët vendas hedhin tezat e tyre se kjo ngjarje bëhet për të hequr vëmendjen nga ajo se çfarë po ndodh në politiken e tensionuar të Maqedonisë, pas “bombave” të përgjimeve nga lideri i opozitës Zoran Zaev dhe protestave që shpërthyen kundër qeverisë së Gruevskit

Artikulli paraprakGOLA SHQIPTARËSH NË LIGAT EUROPIANE
Artikulli tjetër9 MAJI, BASHA ME TË RINJTË NË PIKËN E KALIMIT KUFITAR