
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Mirela Kumbaro, zhvilloi një vizitë në qytetin e Shkodrës, ku u njoh nga afër me ecurinë e projektit për transformimin e shkollës 9-vjeçare “Ismail Qemali”.
Gjatë kësaj vizite, Kumbaro e cilësoi ndërhyrjen si një projekt të rëndësishëm jo vetëm për funksionalitetin e institucionit arsimor, por edhe si një vlerë të shtuar arkitekturore për qytetin. Sipas saj, ky është një investim i shumëpritur nga nxënësit, mësuesit dhe komuniteti, duke marrë në konsideratë traditën e kësaj shkolle në formimin e brezave ndër vite.
Ministrja theksoi gjithashtu bashkëpunimin me Bashkinë e Shkodrës për rritjen e ritmit të investimeve në infrastrukturën arsimore. Krahas rikonstruksionit të shkollave ekzistuese, ajo nënvizoi edhe ndërtimin e terreneve sportive, me qëllim krijimin e kushteve bashkëkohore për nxënësit dhe zhvillimin e aktiviteteve jashtë orarit mësimor.
Projekti për shkollën “Ismail Qemali” pritet të ndikojë ndjeshëm në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe në krijimin e një ambienti më dinjitoz për komunitetin arsimor të qytetit.






