Kundër HEC-eve, amerikania: Arrestimi i burrit, 3 ditë tmerri

Catherine Bohne, amerikania e cila ka kundërshtuar ndërtimin e HEC-ve në Valbonë në një lidhje telefonike ka komentuar arrestimin dhe lirimin e bashkëshortit të saj për lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. Gjykata e Tropojës dha masën detyrim paraqitje për Alfred Selimaj, i cili u arrestua mbrëmjen e 4 nëntorit. Bohne është shprehur se punonjësit e OSHEE kanë ardhur nga Tirana dhe kanë kontrolluar vetëm 3 biznese. “Kanë ardhur disa policë nga OSHEE dhe kanë shkuar tek disa biznese vetëm në Valbonë dhe kanë gjetur defekt në sahate. Ata kanë ardhur nga Tirana dhe kanë kontrolluar në 3 vende ku gjetën defekte”, u shpreh ajo. Amerikania është shprehur se 3 ditët që bashkëshorti qëndroi në arrest ishin të tmerrshme ndërsa ka theksuar edhe njëherë arsyet se përse nuk duhet të ndërtohen HEC-et në Valbonë. “Jam shumë, shumë e kënaqur se pas tre ditësh të tmerrshme bashkëshorti është i lirë. HEC-et nuk duhen ndërtuar sepse në radhë të parë janë problem mjedisor, Valbona është një park kombëtar dhe nuk mund të prishet. Ne e dimë që do të prishet sepse kemi parë të gjithë planin e tyre. E dyta është për ekonomi, sepse Valbona është një nga 9 vendet më të bukura në botë, ka mundësi të zhvillojë ekonominë në të gjithë Shqipërinë. E treta është se ky proces është ilegal. Ne s’mund të rrimë të qetë, në Shqipëri ka ligje shumë të mira por shumë njerëz nuk i dinë të drejtat që ata kanë”, tha ajo. Catherine Bohne është shprehur se nuk ka kontaktuar me Ambasadën Amerikane pas arrestimit të bashkëshortit ndërsa ka shtuar se ka shumë mbështetje nga organizatat ndërkombëtare. E pyetur nëse do vijojë protestat për këtë çështje ajo tha se fillimisht ka nevojë të shkojë në shtëpi dhe të qetësohet për t’iu rikthyer nesër kësaj bisede.

Artikulli paraprakUEFA INSPEKTON “LORO BORIÇIN” PARA IZRAELIT
Artikulli tjetërPD AMENDAMENT PER HAPJEN E NEGOCIATAVE ,KERKESE ME TRE KUSHTE