Vllaznia nuk arriti që të fitojë Kupës e Shqipërisë në basketboll për meshkuj në finalen përballë Tiranës që u luajt në kryeqytet. Në këtë mënyrë bardheblutë u shpallën skuadra fituese e këtij trofeu të rëndësishëm në bashketbollin e meshkujve.Kuqeblutë udhëtuan drejt Tiranës me objektivin për ta fituar Kupën por Tirana dominoi duke u treguar një skuadër më e fortë dhe duke shfrytëzuar fushën e saj.

Ndeshja në finalen e zhvilluar në pallatin e sportit “Farie Hoti” përfundoi 77-63 duke bërë që kryeqytetasit ta fitojnë për të dytin vit radhazi Kupën e Shqipërisë. Pavarësisht fitores ishte një ndeshje e rivalizuar e cila u zgjidh vetëm në 10 minutëshin e fundit të saj. Në fillimin e ndeshjes ekipet shfaqën një lloj balance në fushën e lojës ndërsa të dy skuadrat bënë gabime të shumta dhe kjo u reflektua edhe tek rezultati 15-12 për vendasit.

Në periodën e dytë është Vllaznia që kërkon të tregojë vlerat e saj dhe zhvillon një lojë më të mirë duke përmbysur 10 minutëshin e parë duke e fituar 24-17 dhe duke shkuar në dhomat e zhveshjes me epërsinë 36-32 në këtë pjesë të parë të lojës. Pas pushimit, në periodën e tretë Tirana është më e qartë dhe e fiton 24-16. Kur kishte mbetur perioda e fundit për t’u luajtur Tirana ishte me vetëm 4 pikë avantazh, 56-52 por bardheblutë nuk thyhen më nga Vllaznia.

Kryeqytetasit thellojnë epërsinë përballë ekipit shkodran duke fituar me rezultatin e përgjithshëm 77-63 dhe duke u shpallur ekipi fitues i Kupës së Shqipërisë në basketbollin e meshkujve. Endri Hysenagolli për Tiranën rezultoi pikëshënuesi më i mirë i kësaj finaleje me 19 pikë dhe 16 topa në tabelë por një lojë të mirë zhvilluan edhe Hysa e Clark me nga 17 pikë secili.

Tek Vllaznia Butler shënoi 19 pikë po aq sa Hysenagolli i Tiranës por që nuk mjaftuan që shkodranët ta fitojnë këtë trofe. Në fakt Vllaznia kishte përqendruar forcat e saj tek Kupa e Shqipërisë duke e patur objektiv kryesor por Tirana tregoi të paktën këtë radhë se është një ekip më i mirë. Vllaznisë i mbetet të luftojë tashmë vetëm për titullin kampion, mision i cili nuk është aspak i lehtë.

 

Artikulli paraprakSHOQATA RAJONALE E FUTBOLLIT, “VOTIM I PARREGULLT”
Artikulli tjetërNDËRPRITET ËNDRRA PËR OSCARS, “ZGJOI” NUK NOMINOHET NË LISTËN PËRFUNDIMTARE