Vllaznia dhe Tirana do të përballen sërish me njëra-tjetrën pas gjithë asaj që ndodhi në ndeshjen e kampionatit në basketbollin e meshkujve. Ekipet do të luajnë në gjysmëfinalen e kupës teksa shorti është treguar ironik me këto dy ekipe.

Shorti i Kupës së Republikës në basketboll për meshkuj është treguar ironik me Vllazninë. Pas ndeshjes së kampionatit të zhvilluar në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” ku pati deri në konfrontime fizike mes lojtarëve dhe trajnerëve, kuqeblutë do të përballen sërish me bardheblutë. Në fakt këto dy ekipe do të luajnë në gjysmëfinalen e Kupës ndërsa kjo përballje është vendosur që të luhet në qytetin e Durrësit. Vllaznia ka marrë dy humbje deri tani nga Tirana për shkak se kryeqytetasit kanë bërë 6 blerje ndërsa kuqeblutë ende nuk kanë ndërmarrë asnjë lëvizje për të afruar në skuadër lojtarë të ndryshëm për të përforcuar ekipin. Natyrisht që nuk do të jetë një përballje e zakonshme me rivalitet vetëm në fushën e lojës në gjysmëfinalen e Kupës mes Vllaznisë dhe Tiranës por shumë më shumë se kaq. Në një ndeshje të tillë janë të pashmangshme emocionet pas asaj që ndodhi mes këtyre dy ekipeve në sfidën e kampionatit në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” teksa u morën teknikë përjashtimi katër lojtarë, dy për secilën skuadër. Pavarësisht anës emocionale dhe deklaratave në të dy kampet një vëmendje më e madhe do i kushtohet anës teknike dhe taktike në fushën e lojës. Vllaznia do të tentojë që t’i marrë Tiranës fitoren e parë por gjithnjë mbetet një mision i vështirë. Gjysmëfinalja do të jetë vetëm me një takim dhe skuadra që fiton pret biletën në finale ku do të përballet me fituesen e takimit Teuta-Ardhmëria.