Vllaznia, Kinostudio, Tirana AS dhe Apolonia janë skuadrat e kualifikuara në ndeshjet çerekfinale të Kupës së Shqipërisë për femra që u luajtën respektivisht përballë Teutës, AAS, The Door dhe Juban Danja.

Në këtë mënyrë Vllaznia fitoi 9-0 në transfertë ndaj Teutës ndërsa tre ndeshjet e tjera u luajtuën në Shkodër. Juban Danja humbi 1-4 përballë Apollonisë, AAS u mund 1-10 nga Kinostudio ndërsa The Door pësoi një humbje 0-12 nga Tirana AS. E vetmja ndeshje që ka patur më shumë rivalitet ka qenë ajo mes Jubanit dhe Apolonisë, sfidë në të cilën skuadra vendase pretendoi për dy gola në pozicion jashtë lojë dhe një karton të kuq të dhënë në mënyrë të padrejtë për Marçela Ndocin. Nga ana tjetër Apolonia ka arritur të sigurojë biletën e gjysmëfinales duke vijuar e qetë më tutje.

Përballja më e çuditshme ka qenë ajo mes The Door dhe Tirana AS teksa skuadra shkodrane e The Door e nisi ndeshje me vetëm 7 lojtare kundër 11 të Tiranës sepse pjesa tjetër mungonte për arsye të ndryshme. Edhe pse me 7 lojtare në fushë për The Door, kryeqytetaset janë treguar të pamëshirshme duke shënuar 12 gola në portën kundërshtare. Rezultati surprizë është humbja e AAS në shifrat 1-10 ndaj Kinostudios. Vajzat shkodrane të AAS erdhën me disa mungesa në këtë sfidë gjë e cila ndikoi edhe në rezultat ndërsa Kinostudio me një përforcim si Maria mori një fitore të thellë duke siguruar kualifikimin. Në gjysmëfinale Vllaznia do të ndeshet me Tirana AS ndërsa përballja tjetër do jetë mes Kinostudios dhe Apolonisë.