Vllaznia është kualifikuar lehtësisht në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Kuqeblutë fituan 8-0 përballjen me Elbasanin, ndeshje e luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” duke arritur kështu kualifikimin për më tutje. Edhe pse me një kundërshtar të dobët trajneri i Vllaznisë Thomas Brdariç u shpreh se skuadra nuk neglizhoi aspak sepse futbollit asnjëherë nuk i dihet.

“Ne çdo ndeshje e marrim seriozisht dhe sidomos këtë në Kupë. Kemi zhvilluar një takim të mirë dhe kemi dhënë maksimumin sepse pamë se ekipe të mira si Tirana apo Bylis patën probleme dhe u eleminuan përballë skuadra që nuk janë në Superligë dhe luajnë në Kategori Inferiore. Ne u përqëndruam fort dhe them se kemi marrë një fitore të rëndësishme”.

I pyetur nëse Vllaznia ka objektiv fitimin e Kupës, trajneri Brdariç nuk e ka guximin ta thotë hapur një gjë të tillë.

“Nëse do ta fitojmë Kupën apo jo kjo i përket të ardhmes. Më vjen shumë mirë që qyteti dhe tifozët po përjetojnë mirë rezultatet pozitive por duhet të presim. Kemi nevojë që të bëjmë shumë punë për të arritur objektivat që ne kemi”.

Vllaznia-Tirana është përballja që do të jetë javën e ardhshme. Trajneri Brdariç vlerëson një kundërshtar si Tirana, kampione në fuqi dhe e di se nuk është aspak e lehtë kjo sfidë.

“Gjatë këtyre ditëve kemi patur vëmendjen tek ndeshja e Kupës por të hënen e mbrapa do të nisim përgatitjet për përballjen e radhës me Tiranën. Do përqëndrohemi dhe do punojnë gjatë gjithë javës. Tirana ka ndërruar trajnerin këto ditë dhe besoj se ky ekip do të kërkojë kthesën që në ndeshjen që do ketë ndaj nesh. Ata janë në një situatë tjetër tashmë dhe ne na duhet që të bëjmë shumë kujdes ndaj Tiranës”.

Në ndeshjen e Kupës Vllaznia-Elbasani që përfundoi 8-0, golat për kuqeblutë u shënuar nga Dilaver, Imeri që realizoi dy herë, Dunga, Mandiangu, Çoba dhe në fund dy gola braziliani Da Silva duke bërë që Vllaznia të kalojë në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.