Presidenti Ilir Meta uroi të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Kurban Bajramit.

Teksa shprehu urimet më të mira për udhëheqësit fetarë, që sipas tij, ushqejnë ndjenjën e bashkimit dhe vëllazërimit, Meta i dërgoi dhe një mesazh të fortë politikës, teksa tha se uron që edhe politika të mësojë e të marrë shembullin e kësaj fryme bashkëpunimi.

“Urimet më të mira për të gjithë besimtarët, qytetarët tanë, sepse kjo është vetëm një ditë vëllazërimi e solidariteti, por edhe një ditë shumë e rëndësishme, që na fton të bëjmë sakrifica për këtë vëllazërim.

Uroj që edhe politika të mësojë, të marrë këtë shembull të frymës së bashkëpunimit, mirëkuptimit, të interesave më të mëdha të qytetarëve, por në cdo rast jam i sigurt që populli do të udhëhiqet nga kjo harmoni, që frymëzojnë këta udhëheqës të nderuar, që bëjnë një punë të jashtëzakonshme për të edukuar qytetarët me vlerat më të mira njerëzore, hyjnore e atdhetare.

Është një ditë e rëndësishme sot për t’u angazhuar të gjithë së bashku për anëtarësimin në BE dhe për të hequr cdo pengesë, sa më shpejt, që frenon këtë ëndërr, në mënyrë që të mos na ikin më të rinjtë dhe të kthehen edhe ata që kanë ikur”, tha Meta.