NGJARJA ËSHTË REGJISTRUAR MËNGJESIN E SË PREMTES, FATMIRËSISHT NUK KA PASUR TË LËNDUAR. Një furgon me nxënës shkolle dhe pasagjerë ka rrezikuar të mbytet, pasi është marrë nga rrjedha e lumit në fshatin Skuraj të Kurbinit. Ngjarja është regjistruar mëngjesin e së premtes, por fatmirësisht të gjithë përsonat që ndodheshin në furgon kanë mundur të dalin shpejt prej tij dhe të ecin drejt bregut.

Mjeti ka mbetur i bllokuar në lumë, ndërsa në drejtim të zonës së thellë malore kanë shkuar menjëherë forcat e policisë dhe të komunës së Milotit që kanë mundësuar më pas edhe nxjerrjen e furgonit. Furgoni po vinte nga fshati Gallatë në drejtim të qendrës së komunes Milot dhe për shkak të mungesës së urës ai ka qenë i detyruar që kalojë përmes lumit të fshatit. Rrjedha e fortë, si pasojë e prurjeve të shumta, ka qenë e parashikuar për drejtuesin e mjetit, i cili ka parë furgonin e tij që të merret para nga uji dhe menjëherë u ka kërkuar pasagjerëve që të hidhen në lum për të dalë në breg pasi po rrezikonin mbytjen. Vetëm 2 muaj më parë banorët e këtyre zonave protestuan ndaj autoriteteve duke kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme për ndërtimin e urës, duke paralajmëruar rrezikun që u kanosej. Për shkak të shembjes së urës, një i ri humbi  jetën në nëntor të vitit që shkoi, pasi u përpi nga rrjedha e lumit ndërsa tentonte të kalonte me një motoçikletë nga njëri kah në tjetrin sëbashku me  shokun e tij, që fatmirësisht u nxorr nga një banor që ndodhej aty pranë.

Artikulli paraprakARRESTOHET KRYEBASHKIAKU I VLORËS SHPËTIM GJIKA
Artikulli tjetërEDUKIMI I TË RINJËVE NËPËRMJET SPORTIT