Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani i ka kërkuar ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla për të shpallur non-grata dy zyrtarë rusë.

Denis Vengerskii dhe Alexey Kryvosheev janë dy personat që janë identifikuar nga institucionet e Kosovës se veprimtaria e tyre është cenuese për sigurinë kombëtare. Ndërkohë, kuptojmë që Alexey Kryvosheev, i cili është edhe diplomat rus, nuk e ka për herë të parë që është shpallur non-grata.

Në janar qeveria shqiptare e shpalli Alexey Krivosheev person non-grata, duke argumentuar se ky i fundit ka “shkelur vazhdimisht masat e COVID-19”. Në deklaratën zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, shkruhet se Krivosheev ka marrë disa paralajmërime, por “diplomati nuk ka reflektuar” dhe “vazhdoi të tregojë sjellje të pakujdesshme”.