
Në një seancë maratonë për më shumë se 10 orë, 8 gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk kanë arritur të marrin një vendimin për ankimimin e Edi Ramës për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra.
Votat janë ndarë katër pro dhe katër kundër, duke mos bërë të mundur marrjen e një vendimi 5 me 3, dhe si rrjedhojë mbetet në fuqi vendimi i GJKKO për pezullimin nga detyra të Ballukut.
GJKKO, me kërkesë të SPAK pezulloi nga detyra zv/kryeministren Balluku e pandehur për abuzime me tenderin e Llogarasë, por Kryeministri Rama e cilësoi këtë si një shkelje të kompetencave të tij. Rama e çoi në Gjykatën Kushtetuese çështjen Balluku, me argumentin se GJKKO ka shkelur kufirin e një tjetër pushteti, atij ekzekutiv duke marrë kompetencat e tij si kryeministër për pezullimin ose shkarkimin e një anëtari qeverie. Pas kërkesës së kryeministrit Rama, gjykata riktheu përkohësisht në detyrë Ballukun deri sa çështja e saj të shqyrtohej në themel nga “Kushtetuesja”.






