Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare kandidati që merr me shumë vota, pavarësisht se ku është renditur në listë nga kryetari i partisë, merr mandatin e deputetit.

Gjykata Kushtetuese vendosi të shfuqizojë si antikushtetues pikën 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor, që flet për herësin, duke garantuar lista 100 për qind të hapura.

Pika e nenit që u shfuqizua parashikonte se “Në fillim përfitojnë mandat kandidatët që kanë marrë një numër votash parapëlqyese më të madh se herësi që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit me numrin e mandateve të fituara nga subjekti, sipas nenit 162 të këtij Kodi. Në çdo rast, herësi nuk mund të jetë më shumë se 10 000 vota. Në rast se herësi që përftohet nga pjesëtimi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt”.

Sipas këtij neni kandidatët që ishin në listët e sigurt të kryetarit, mund të rrezikonin vendin në parlament, vetëm nëse kandidatët e renditur më poshtë siguronin 10 mijë vota.

Në zgjedhjet e 25 prillit, herësin e thyen 3 kandidatë, Fatmir Xhafa, Luciano Boci dhe Ornaldo Rakipi. Por pas vendimit të shtatë gjyqtarëve kushtetues në zgjedhjet e ardhshme, kandidatët do të garojnë me lista të hapura, pa presionin e renditjes në listë nga kryetari i Partisë.

Kushtetuesja u vu në levizje nga Partia “Bindja Demokratike” dhe partie “Lëvizja Demokratike Shqiptare”, të cilat argumentonin se neni 163 i Kodit zgjedhor binte ndesh me aktin themeltar të Shtetit.

NJOFTIMI I GJYKATES

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancën plenare publike të datës 09.06.2021 çështjen me kërkuese partinë “Bindja Demokratike” dhe partinë “Lëvizja Demokratike Shqiptare”, me objekt shfuqizimin e nenit 163 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar me nenin 21 të ligjit nr. 118/2020, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese

VENDOSI:
– Pranimin pjesërisht të kërkesës.
– Shfuqizimin e pikës 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor si të papajtueshëm me Kushtetutën.
Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Artikulli paraprakE THOTË SHQIP NË PARLAMENTIN EVROPIAN, TALAT XHAFERRI: BULLGARIA NUK DUHET TË PENGOJË INTEGRIMIN E RMV
Artikulli tjetërVARIANTI DELTA/ FRANCA RREZIKOHET NGA NJË VALË E 4-T E COVID-19, KËSHILLTARI I QEVERISË: DO TË JETË MË E MODERUAR SE 3 TË PARAT