Në Kuvend ka nisur shqyrtimi për marrëveshjen e huasë direkte midis Shqipërisë dhe SHBA-ve për financim të jashtëm ushtarak prej 302 milionë dollarësh.

Shefi i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, tha se marrëveshja është dëshmi e besimit të SHBA-ve ndaj Shqipërisë.

“Kjo është një marrëveshje historike për Shqipërinë, me rëndësi të veçantë për sigurinë kombëtare të vendit që konfirmon fuqishëm marrëdhëniet e shkëlqyera të Shqipërisë me SHBA-të. Është dëshmi konkrete e besimit të SHBA-ve ndaj Shqipërisë. Shqipëria ka një angazhim të shtuar në rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen. Shqipëria mbështet objektivin e ri për të arritur objektivin 5% të NATO-s. Siguria dhe mbrojtja janë prioritete strategjike. Ky financim do të përdoret ekskluzivisht për modernizimin e Forcave të Armatosura, pajijsje dhe shërbime të mbrojtjes sipas standardeve më të larta të NATO-s. Financimi do të disbursohet gradualisht sipas nevojave konkrete të Ministrisë së Mbrojtjes. Shqipëria do të ketë 48 muaj për aktivizimin e fondeve, afat deri në 12 vjet. Çdo përdorim i fondeve do të miratohet nga Agjencia Amerikane e Mbrojtjes duke garantuar transparencë të plotë”, tha Balla.

Ndërsa për Gazment Bardhin, opozita nuk është vendosur në dijeni të marrëveshjes dhe procedura e ndjekur është në shkelje të Kushtetutës.

“Kushtetuta për ju është firma e Edi Ramës, për ne është kontrata që kemi lidhur me qytetarët shqiptarë. Na foli për marrëveshje historike, keni pasur 14 vite kohë për të plotësuar buxhetin e sigurisë, na flet ti ne që s’kuptojmë marrëveshjen? Kur e quaje NATO-n natë, grupi këtej firmoste anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Më pak se 2% është buxheti i mbrojtjes së Shqipërisë në shkelje të angazhimit në NATO ndërkohë që Rama mburret publikisht duke gënjyer. Qeveria po përpiqet të korrigjojë me nxitim dëmin që i shkakton besueshmërisë së Shqipërisë. Ne nuk e disponojmë marrëveshjen, s’na është vënë në dispozicion. Marrëveshja është e mirëpritur sepse Shqipërisë i duhen investime të tilla. Reagimi është i vonuar”, tha Bardhi.

Seanca për miratimin e marrëveshjes do të mbahet në orën 15:00.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakTENSIONOHET PROTESTA PARA KUVENDIT, PROTESTUESIT HEDHIN VEZË DREJT EFEKTIVËVE. POLICIA PËRGJIGJET ME SPRAJ LOTSJELLËS
Artikulli tjetërBARDHAJ, ÇARJA E KANALIT RREZIKON PËRMBYTJEN E ZONËS