Berisha: Prapa çjerrjeve të Sadri Abazit, mln euro të vjedhura
Ish-kryeministri Sali Berisha s’e ka kapërdirë dot entuziazmin e Sadri Abazit në mitingun përmbyllës të PS-së në Dibër. Nga foltorja e Kuvendit, Berisha u shpreh se “pas atyre çjerrjeve qëndrojnë miliona euro të vjedhura”. Berisha akuzoi qeverinë edhe për trafikun e drogës. “Zotërinjtë pas shpine përbëjnë një organizata kanabiste të vërtetë. Kanabizimi dhe vendosja e diktaturës së krimit janë problemet kryesore të Shqipërisë. Qeveria shpif, çirret dhe citon dokumente që nuk ekzistojnë për kanabisin. Sot u fol edhe për Dibrën. Me 2 korrik të 2015 deklarova se seanca ishte e funeralit të zgjedhjeve në Shqipëri. Dibra ishte hapja e njërit prej këtyre varreve të krijuara nga ju. Vota e shqiptarëve u varros në Dibër. Prapa çjerrjeve të Abazit qëndrojnë vjedhjet miliona euro të bëra me Ramën dhe ndërtimet pa leje”, u shpreh Berisha. “Vetëm në Kurvelesh mbi 3.2 milionë rrënjë kanabis të mbjella. Të paktën 20 milionë rrënjë kanabis të mbjella në të gjithë Shqipërinë. E konfirmojnë raportet”, tha Berisha, ndërsa shtoi se kryeministri Edi Rama i ka dërguar disa SMS Ymer Lalës, i cili sipas tij kontrollon 100 mijë rrënjë kanabis në Selishtë. “100 mijë rrënjë janë në Selishtë nën kujdesin e Ymer Lalës. Rama i ka dërguar disa SMS Ymer Lalës. E di mirë ai. Le të dalë dhe t’i thotë këtu”, shtoi Berisha. I pyetur nga deputeti socialist Piro Lutaj se ku i kontrolloi këto SMS, Berisha tha se janë të tjerë ata që i kontrollojnë dhe ia venë në dispozicion. “I kontrollojnë të tjerët dhe mi thonë. I kontrollojnë shërbimet partnere dhe mi thonë. Le të ngrihet të më thotë se s’kam dërguar asnjë mesazh. Ti (Lutajt) rri urtë, se ty të ka mbetur revolja për të mësuar qitjen”, u shpreh Berisha.