Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në seancë plenare, ku pikë kryesore e rendit të ditës është diskutimi i projektbuxhetit për vitin 2018. Seanca pritet të shoqërohet me diskutime dhe debate mes palëve, nga ku opozita qartazi ka shfaqur qëndrimin kundër miratimit të tij. Një ditë më parë demokratët propozuan 16 amendamente për buxhetin e vitit të ardhshëm.

Duke marrë shkas nga mungesa e investimeve të huaja, demokratët propozojnë ndryshimin e shkallës së Tatim Fitimit në masën e 9% nga 15 që është aktualisht, ndërsa kërkojnë konsensus për rikthimin e taksës së sheshtë prej 10 për qind. Gjithashtu, opozita propozon uljen e TVSH-së në masën e 15%, teksa kërkon që pragu për biznesin e vogël të jetë 12 mln lekë. Duke theksuar se taksa progresive rëndon shtresën e mesme dhe rrogëtarët, demokratët kërkojnë që kjo nga kjo taksë të përjashtohen pagat deri në 35.000, mbi këtë prag, opozita propozon taksim në masën e 9 %.

Një tjetër propozim i Partisë Demokratike ka të bëjë me koncesionet, duke kërkuar që ato të regjistrohen si borxh publik, deputetja propozuese Jorida Tabaku propozon që tavani për vlerën totale të kontratave koncesionare/PPP-të ekzistuese dhe ato të kontraktuara për vitin 2018, në përputhje me të dhënat e regjistrit të koncesioneve, të jetë 40.1% e PBB-së. Teksa kërkon uljen e taksës së qarkullimit, opozita kërkon gjithashtu që buxheti për arsimin të jetë 5%, ndërsa pensionistët të marrin një shpërblim sa gjysma e pensionit të tyre.

Artikulli paraprakPARASHIKIMI I MOTIT 30 NËNTOR
Artikulli tjetërMOTI I KEQ, PEZULLOHEN LUNDRIMET E ANIJEVE NË VLORË E DURRËS