I mandatuari për kryeministër i Kosovës, Glauk Konjufca i partisë Lëvizja Vetëvendosje, ka dështuar për të formuar qeverinë e re. Kuvendi i Kosovës votoi kundër formimit të qeverisë me Konjufcën kryeministër duke e rrëzuar me 53 vota kundër dhe 4 abstenim, 56 deputetë votuan pro tij. Konjufca duhet të siguronte minimumi 61 vota për të formuar qeverinë. Në këtë rast Kosovës i është hapur rruga për të shkruar drejt zgjedhjeve të reja të përgjithshme, të fundit të cilat u zhvilluan më datë 9 shkurt. I pari që dështoi në formimin e qeverisë, ishte kryeministri në detyrë Albin Kurti më 26 tetor me 56 vota pro, 52 kundër dhe 4 abstenim. Kurti më pas i hapi rrugë Konjufcës, i cili u mandatua nga presidentja Vjosa Osmani më 4 nëntor.

Me rastin e dështimit të Konjufcës, presidentja Osmani ka si detyrim ligjor për të shpallur zgjedhjet e parakohshme, të cilët duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga shpallja. Qeveria e propozuar nga Konjufca nuk kishte pothuajse asnjë ndryshim nga ajo e Albin Kurtit. I vetmi ndryshim ishte ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, ku Glauk Konjufca ia kishte besuar si post Besnik Bislimit në vend të Dimal Bashës. Në këtë qeveri, Kurti do të luante rolin e Ministrit të Jashtëm.

“Synojmë ta kursejmë Kosovën nga zgjedhje të tjera. Do të ishte arrogancë ta çojmë vendin në zgjedhje sërish. Nëse i mbajnë më dhjetor, kush na garanton që nuk shkojmë edhe në mars. Të mos harrojmë që ideja e domosdoshmërisë për mandatarin e dytë lindi pas dështimit në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit”, tha Konjufca përpara ligjvënësve.

Në zgjedhjet e fundit të mbajtura më 9 shkurt, Lëvizja Vetëvendosje u rendit e para parti me 42.30% të votave, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 20.95%. Të gjitha partitë në Kosovë, kërkojnë sa më shpejt të mbahen zgjedhjet e reja të përgjithshme me qëllim shmangien e një kolapsi në Kosovë për shkak dhe të nevojës për miratimin e buxhetit për vitin 2026.

Artikulli paraprakBEGAJ VIZITË ZYRTARE NË ÇEKI, TAKIM ME HOMOLOGUN E TIJ!
Artikulli tjetërPAS HUMBJES SË BANESËS NGA ZJARRI, FAMILJA SELJA GJEN STREHË, KRYEBASHKIAKU BECI JEP LAJMIN