
7 institucione kushtetuese raportojnë sot në Kuvend pas shtyrjes së seancës së fundit për shkak të trazirave që shkaktoi grupi parlamentar i PD për moslejimin e prezantimit të raportit të Avokatit të Popullit.
Konkretisht do të raportojnë sipas rendit, KLGJ, KLP, KLSH, Prokurori i Përgjithshëm, SPAK, Avokati i Popullit dhe ILD.
Teksa pas pak pritet seanca plenare, Kuvendi është rrethuar me gardhe metalike, në një perimetër më të gjerë sesa herët e tjera.
Taulant Balla njoftoi një ditë më parë se do të shqyrtohet projektligji për turizmin i cili synon t’i japë fund gardheve që bllokojnë hyrjen në plazhe dhe të ndalojë ndërtimin gjatë sezonit turistik.
Me ministrin Enea Karakaçi janë kërkuar një interpelancë dhe dy seanca pyetje-përgjigje.
Interpelanca është kërkuar nga Blendi Himçi lidhur me vonesat e realizimit të bypass-it të Elbasanit.
Njëra nga seancat pyetje-përgjigje është kërkuar nga Erald Kapri për shkatërrimin e pronave në fshatin Zgjup Kodër në Gramsh, ndërsa tjetra nga Bujar Leskaj lidhur me memorandumin Shqipëri-Greqi për gazin natyror të lëngshëm.
Edhe pse seancën e shkuar u kërkua me ngulm nga PS që të prezantohej raporti për Reformën Territoriale, kjo pikë nuk është përfshirë në rendin e ditës. Megjithatë, është Konferenca e Kryetarëve që mblidhet një orë para Kuvendit e cila do të vendosë nëse do të ketë shtyrje të sesionit parlamentar.






