DEMOKRATËT KËRKOJNË QË TVSH-ja TË ULET NË 6 % NGA 20 % QË ËSHTË AKTUALISHT. Seanca plenare e kësaj të enjteje në Kuvendin e Shqipërisë nisi me prezantimin e amendamentit të opozitës për uljen me 14 % të TVSH-së së energjisë elektrike.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka tha se ulja në 6 % e TVSH-së nga 20 që është aktualisht, do të lehtësonte barrën e rëndë ekonomike që sipas tyre po përballojnë shqiptarët me rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Për mazhorancën, ulja e TVSH-së për energjinë në një kohë që sistemi energjetik në vend edhe nuk është kthyer në një burim potencial të rritjes ekonomike të vendit, do të ndikonte negativisht të ardhurat në buxhetin e shtetit. Ishte deputeti socialist Ervin Koçi i cili solli në vëmendje vlerësimet e dhëna nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për regjimin e ndjekur deri më tani nga qeveria shqiptare.Po ashtu Koçi risolli nga foltorja e Kuvendit citime të deputetëve të djathtë në kohën kur ata kanë qenë në qeverisje. Sipas tij, ishte vetë mazhoranca e atëhershme e cila nuk pranoi propozimin e opozitës (tashmë në qeveri), ndërsa sot e paraqet si amendament të sajin. “Përgjigjen do ta merrni nga shqiptarët më 21 Qershor”, tha Koçi.

Artikulli paraprakZGJEDHJET 2015, BASHKIA SHKODËR 4 KZAZ
Artikulli tjetërZV. MINISTRI I SHËNDETËSISË DHE DREJTORI I DSHP, NË SHKODËR