Bujar Nishani e ka cilësuar Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike në Teatër absurd, e nisur nga kjo e sheh si një mision urgjent shpëtim e partisë nga “kthetrat” e Lulzim Bashës.

Bujar Nishani është renditur në listën e zërave kritik kundër lidershipit Basha, mirëpo pas mbajtjes së Kuvendit Kombëtar të, ai ka folur me tone edhe më të ashpra duke drejtuar gishtin drejtpërdrejtë nga kryedemokrati.

“Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike ka qenë historikisht evenimenti jo vetëm më i rëndësishmi nga pikpamja institucionale por dhe më emocionali nga pritshmëritë dhe inspirimi politik.

Veçanërisht në kohën opozitare ai ishte i vetmi vend e moment ku projektohej vizioni i ri politik, platformat e betejës politike dhe hapësira e resurseve të vlefshme njerëzore.

Nuk është se në të shkuarën kuvendet kanë prodhuar “çudira”, ka patur dhe momente për tu harruar, por në tërësinë e tyre më e pakta kishin seriozitetin dhe para betejave elektorale kanë projektuar fitoren!

Kuvendi i fundit Kombëtar ai i 17 korrikut 2021, megjithëse i pari në llojin e vet do të duhet të harrohet sa më shpejt.

Si shumë fenomene që po i ndodhin PD për herë të parë në historinë e vet, ashtu dhe Kuvendi i saj Kombëtar për herë të parë u kthye në një Teatër Absurd !

Kuvendi Kombëtar i PDSH u mblodh jo për të adresuar hallin politik të PD e demokratëve, të opozitës shqiptare e vuajtjeve të shqiptarëve, por u thirr për të mbuluar hallin politik të L. Bashës.

Situata e rëndë për PD dhe opozitën si institucion kërkonte krejt tjetër gjë. Dramatikisht tjetër ! PD vinte në këtë Kuvend me humbjen e 4 (katërt) radhazi përballë kundërshtarëve të vet !

PD për herë të parë në historinë e saj mbetet 3(tre) mandate rrjesht në opozitë, (12 vjet) dhe me risk shumë të lartë për ti humbur përsëri zgjedhjet e rradhës. PD vinte në këtë Kuvend më e përçarë se kurrë dhe me një strukturë në kaos, të lënë në mëshirën e fatit për vite me rradhë.

PD vinte në këtë Kuvend pa asnjë kolonë identiteti si parti konservatore, pa ideologji, pa ekip përfaqësues, me humbje të madhe besimi pas dështimit të rëndë elektoral.

PD vinte në këtë kuvend me rezultate fataliste, duke marrë në zgjedhjet e 25 prillit 60 mijë vota më pak se sa në vitin 2013 kur doli humbëse pas 8 vitesh në qeverisje dhe me 120 mijë vota më pak se sa në 2009 kur ishte fitorja e fundit për PD !

Kuvendi duhej të ishte vendi dhe koha e analizës përfundimtare, e reformimit tërësor të statutit të partisë, e marrjes së përgjegjësive politike, të ideimit dhe qartësimit të parimeve ideologjike dhe kolonave themelore të partisë, të miratimit të tezave të betejës politike, e vijave të kuqe ndaj rregjimit përballë, e hapësirës për qytetarinë e stilin modern të bërjes politikë, të ndryshimit radikal të modelit për krijimin dhe funksionimin e instrumentave dhe institucioneve brenda partiake.

Duhet të ishte Kuvendi i “Pikave mbi Δ ! Duhet të ishte momenti i fillimit të rikthimit të shpresës ! Të gjitha këto, u refuzuan e u zëvendësuan me një Teatër Absurd !

Të vetmet ndryshime statutore ishin kundër vetë partisë, kundër vetë anëtarëve të partisë. Shndërrimi i Këshillit Kombëtar nga një institucion i lartë vendimarrës në copëzim departamentesh këshillimore e dëmton rëndë vetë partinë ! Këshilli Kombëtar duhet të përfaqësonte në mënyrë proporcionale shtrirjen territorjale të PD.

Kukësi, Gjirokastra, Peshkopia, Korça, Tirana, Elbasani, Durrësi, Mirdita, Devolli, Malësia, e kështu me rradhë të gjitha rrethet, duhet të kenë përfaqësuesit e tyre të drejtpërdrejtë në Këshill. Heqja e të drejtës së propozimit edhe formal të anëtarësisë për kandidatët në zgjedhjet lokale, tregon se përçmimi ndaj anëtarësisë është karakteristika e lidershipit aktual në detyrë. Ky kuvend duhet të kishte sanksionuar motodikën e garës në parti.

Primaret si dimension i lirisë, demokracisë, meritokracisë dhe mundësisë për fitore duhet të ishte formula themelore në ndërtimin e strukturës garuese si brenda partisë ashtu dhe në përzgjedhjet e përfaqësimit në garat elektorale lokale e qëndrore.

Nëse flasim për hapje të partisë ndaj vlerave përfaqësuese e influencuese në opinion, vetëm sistemi i garës së drejtë e garanton hapjen e partisë.

Çdo gjë tjetër është veçse retorikë pavlerë. Ky kuvend duhet të kishte sanksionuar integritetin e përfaqësuesve.

Marrja dhe bërja publike me detyrim e vërtetimit të pastërtisë së figurës nga komisioni i dosjeve të Sigurimit të Shtetit, për të gjithë ata që garojnë nga niveli i kryetarit të degës, Këshillit Kombëtar, Kryesisë Qëndrore e çdo niveli tjetër qëndror (departamente, sekretariate, komisione) duhej sanksionuar në Statut.

Statuti nuk duhej të lejonte askënd të hynte në garë për këto mekanizma pa e bërë më parë publik këtë dokument.

Vetëm kështu do të sigurohej integriteti i përfaqësimit.

Çdo gjë tjetër është retorikë pavlerë. Ky Kuvend kishte shumë punë për të bërë por nuk bëri asnjë !

E vetmja retorikë dhe akt statutor i këtij Kuvendi ishte garantimi i “represionit” të L. Bashës mbi Partinë Demokratike. Basha vendosi pas 8 vitesh ti tregojë “dhëmbët” e pushtetit të tij anëtarësisë, simpatizantëve, veprimtarëve, votuesve të Partisë Demokratike.

Basha nuk e kupton dot se kjo sjellje qesharake e degradon edhe më shumë perceptimin per të në mes antarësisë së PD, në mes votuesve të PD e madje tek i gjithë opinioni publik.

Basha pasi e ka zvogëluar, dobësuar dhe kthyer Partinë Demokratike pothouajse në një Organizatë me kohë të pjesëshme, (për nga forca politike dhe perceptimi publik) tashmë po injekton në të edhe mungesën e seriozitetit. L Basha nuk do garë se nuk do hapjen e partisë.

Nuk do hapje se ka frike nga kontrasti i madh me personalitetet që mund të integrohen në PD, që do ta ekspozonin atë totalisht në syrin dhe gjykimin e opinionit publik. Basha ka tmerr nga kontrasti, pasi “borxhlinjtë” e tij nuk do thonë dot më ; “po iku ai, kush do të vijë” ???!!

Ai nuk ikën se ka gjetur punë në PD. Nga puna kur je i paaftë e bën dëm, veç të pushojnë. Vetë nuk ikën asnjë i paaftë !

Basha nuk do meritokraci e të aftë. Basha nuk do fitues , ai do veç “borxhlinj” pasi veç atë lloj kontrate njeh, ai mendon se veç ajo lloj kontrate ekziston në këtë botë e veç atë lloj kontrate mund të lidh dhe ai me të tjerët !!!!!

Basha hyri në privilegjet e pushtetit pa asnjë ditë kontributi në strukturat dhe përpjekjet e Partisë Demokratike.

Basha nuk e di se çfarë është partia ?! Pasi L. Basha, nuk e di se çfarë është seksioni i PD, nuk e di se çfarë sakrifice është të jesh komisioner i PD në komisionet e votimit apo numërimit nën kërcënimet e bandave të pushtetit.

Nuk i ka bërë kurrë këto punë ndonjëherë për partinë ! Basha nuk ka rendur kurrë të bëjë fushatë, të mbledhë vota, të luftojë për ndonjë përfaqësues të PD në gara elektorale. Ai veç ka përfituar nga sakrificat e të tjerëve dhe vet është ulur direkt e këmbëkryq mes tepsisë së hallvës që prej ditës së parë të katapultimit fatkeq në kupolën vendimarrëse të PD.

Basha nuk e di as se çfarë është shteti, sepse puna e parë që ka bërë në Shqipëri është Ministër ! Të gjitha këto privilegje do të kishin vlerë nëse L. Basha do t’ja kishte shpërblyer me punë e rezultat politik PD-së dhe anëtarësisë së saj. Basha jo vetëm nuk i ktheu asnjë arritje të qënësishme por i zhyti në kaos, përçarje e humbje shkatërruese në 4 përballje elektorale rrjesht duke i lënë 12 vite në opozitë të pandërprerë si kurrë më parë.

Privilegjet e pamerituara që fitoi e vazhdon ti keqpërdorë i shndërroi në shkatërrimin dhe degradimin e të gjithë partisë, në shkatërrimin e vlerave, interesave dhe jetës individuale e familjare të demokratëve anekënd vendit.

1.Basha sot është jo vetëm borxhliu më i madh ndaj PD në të gjithë historinë e saj, por është dëmtuesi dhe autori i shkatërrimit më të dhimbshëm të saj.

2.Basha ja doli ti shkaktoi demokratëve atë që nuk arritën t’ja bënin dot as F. Nano, as E. Rama e asnjë prej kundërshtarëve të tyre politik në 30 vitet e betejave politike.

3.Basha e di shtetin “lodër” ku mund të argëtohet e partinë zyrë ku mund të punësohet !!!!

Ka 8 vjet që sa herë E. Rama i fut një shpullë në faqe L. Bashës, ky i kthen faqen tjetër. Sapo i vjen shpulla e radhës në faqen tjetër, i rikthen faqen e parë.

Problemi nuk është se na dhimbset faqja mavi e L. Bashës nga shpullat e E. Ramës, por na ka nxirë fytyrën të gjithëve pasi ky paraqitet faqe botës si kryetari i PD dhe si alternativa qeverisëse e Shqipërisë.

Partia Demokratike është e madhe, është shumë e madhe, jo vetëm si trashëgimi, jo vetëm si qëndresë, jo veç si frymë, jo vetëm si investim i 620 000 shqiptarëve që e votuan së fundmi.

Por ajo ka nevojë të bëhet akoma më e madhe si dimension, si vlerë, si besim, i shumicës së shqiptarëve.

Por në vend të kësaj, PD sot po vritet, pak nga pak, e ditë për ditë.

Cilido që sot shqetësimet, preokupimin, kambanën e alarmit, i sheh, i percepton, i konsideron apo dhe i beson si inate apo mëri personale ndaj L. Bashës, thjesht ka mbetur në parapolitikë e është në kundra/kohë.

Përpjekja, persistenca dhe beteja për ta shpëtuar PD dhe për të mos e lënë peng të Teatrit Absurd është sot përgjegjshmëri.

Eshtë pothuajse një Mision”, shkruan Nishani.