Ditën e martë, të javës së ardhshme, pritet që të mblidhet Kuvendi i Shqipërisë.

Në rendin e ditës të firmosur nga Ruçi nuk është parashikuar çështja e shkarkimit të Metës por kjo nuk e përjashton që të futet në rend të ditës nga seanca plenare.

Ndërkohë që kujtojmë se, grupi parlamentar socialist ditën e sotme ka nisur mbledhjen e firmave për të mbështetur propozimin e shkarkimit të presidentit, Ilir Meta.

Paraditen e sotme deputetëve socialistë i ka mbërritur një mesazh ku thuhet:

“Bazuar në disa shkelje të rënda te Kushtetutës sipas parashikimeve të nenit 90, nga ana e Presidentit Ilir Meta përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore, në konsultim me Kryesinë e Grupit Parlamentar kemi vendosur të iniciojmë procedurën e shkarkimit të Presidentit të Republikës”.

I gjithë grupi parlamentar socialist është ftuar për të firmosur propozimin për shkarkimin e presidentit. Ky zhvillim vjen një ditë më pas nga deklarimi i kryeministrit, Edi Rama se me Ilir Metën do të merret parlamenti Shqipërisë!

Kjo është hera e dytë që mazhoranca do të nisë procedurat për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i presidentit. Herën e parë, gjithçka nisi për shkak të çdekretimit të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.

Sot, kjo procedurë ka nisur pas luftës që Meta hapi ndaj SHBA-së dhe ambasadores Yuri Kim, si edhe daljes së tij totalisht nga roli i kreut të shtetit dhe përfshirjes së tij në fushatë në shkelje të Kushtetutës, asaj që Meta përbetohet se po e mbron me gjak dhe dinjitet.

Pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, deputetët, ministri dhe kryeministri Edi Rama do të rikthehen në sallë për të diskutuar lidhur me disa projektligje. Po ashtu, seancat deri në mbylljen e këtij sesioni parlamentar do të jenë shansi i fundit për disa deputetë për t’ju drejtuar qytetarëve nga foltorja.