
Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës , Shqipëria bëhet vendi i dytë në botë që shpall Republikën Islamike të Iranit si Shtet Sponsor i Terrorizmit dhe Shtet që përdor mjete terroriste.
Me 79 vota pro, dhe një abstenim nga deputeti Redi Muçi, Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot rezolutën që shpall Iranin shtet terrorist, duke marrë shkas dhe nga ngjarjet e fundit që po prekin Lindjen e Mesme dhe jo vetëm.
Teksa në sallë mungonte opozita, e cila nuk pranoi të ishte pjesë e seancës së sotme, në Kuvend u votua për praninë, ku rezultuan 79 ligjvënës, të cilët votuan të gjithë pro miratimit të kësaj rezolute.
Kjo rezolutë dënon politikat e Iranit, duke marrë shkas dhe nga fakti se ky shtet ka kryer disa herë sulme kibernetike drejt institucioneve të vendit tonë.
Rezoluta në fjalë u propozua nga maxhoranca, e cila nuk vonoi shumë dhe e kaloi në seancë plenare urgjente, pa e njoftuar rendin e ditës. Kjo gjë shkaktoi dhe debate me opozitën, e cila theksoi se seanca e sotme ishte e jashtëligjshme dhe pa procedurë.






