
Prej orës 10:00 Kuvendi është mbledhur në seancë plenare, por debatet më të forta u shënuan në nisje në përballjen e opozitës me ministren e Brendshme për protestën e PD-së të shtunës. Gjatë ditës, Kuvendi shqyrtoi aktit normativ për ndryshime në buxhetin e 2025-ës, ndërsa në vijim priten diskutime edhe për disa ndryshime në Kodin Penal.
Kjo pikë pritet të sjellë debate mes opozitës dhe mazhorancës. Me ndryshimet që PS ka dërguar në Kuvend dekriminalizohet pjesërisht shpifja, vetëm për gazetarët. Socialistët janë kundër propozimit të PD-së që të heqin shpifjen si vepër penale për të gjithë qytetarët shqiptar. Ligji shoqërohet me masa mbrojtëse për sigurinë e gazetarëve, duke dënuar ata që i kërcënojnë apo dhunojnë për shkak të profesionit.
Ndryshimet në Kodin Penal parashikojnë edhe burg deri në 1 vit për ata që parkojnë dysh. Po ashtu do ashpërsohen dënimet për ndërtim të paligjshëm e zjarrvënëse.






