Sllovaku Miroslav Lajçak, vendi i të cilit nuk e njeh Kosovën, është politikan me CV të pasur. Në vendin e tij, i ka arritur majat e diplomacisë, ndërsa edhe në arenën ndërkombëtare ka mbajtur poste të larta, që nga OKB-ja, ku ka shërbyer si president i Asamblesë së Përgjithshme, pastaj, në emër të BE’së, e ka mbikëqyrur referendumin për pavarësi, ka shërbyer si përfaqësues i lartë në Bosnjë etj. Por, duke u emëruar nga BE’ja si përfaqësues për dialogun Kosovë – Serbi, diplomati sllovak ka pranuar një punë të vështirë, në të cilën shumë kolegë të tij kanë dështuar.

“Marrëveshja për Asociacionin duhet të zbatohet. Askush me mendje të shëndoshë nuk do “Republika Srpska” në Kosovë. Serbia ka të drejtë t’i japë propozimet e saj për Asociacionin, por kosovarët nuk do të detyrohen të nënshkruajnë diçka të dëmshme për vendin e tyre. Vizita ime në Prishtinë e Beograd me Gabriel Escobar-in ka tri qëllime”, ka thënë Lajçak

“Miro”-ja, siç e thërrasin disa politikanë në Prishtinë, për shkak të kontakteve të shpeshta me të, viziton sot Prishtinën, i shoqëruar nga Gabriel Escobar-i si përforcim, për ta çuar përpara çështjen e dialogut, që ka ngecur muajve të fundit. Lajçaku nuk dëshiron t’i theksojë arritjet, por thotë se ka bërë “shumë përpjekje” për procesin. I informuar për reagimet në Kosovë dhe ofensivën diplomatike amerikane për procesin e bisedimeve dhe çështjen e Asociacionit, Lajçaku ka thënë për Gazetën Express se Kosova dhe Serbia duhet t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet. Por ka zgjedhur të bëjë të qartë se çfarë përjashtojnë europianët rreth Asocacionit.

“Ne nuk duam një tjetër “Republika Srpska”. Askush me mendje të shëndoshë, veçanërisht duke e shikuar situatën aktuale në Bosnjë e Hercegovinë, nuk do të propozonte diçka të tillë”, thekson sllovaku. Ai nuk pranon të thotë se asociacioni do të jetë edhe pa kompetenca ekzekutive, duke theksuar se edhe Serbia ka të drejtë t’i japë propozimet e saj, por thekson se udhëheqësisë kosovare nuk do t’i thotë askush që të nënshkruajë diçka të dëmshme. Lajçaku nuk e di afatin për marrëveshje, por thotë se, nëse ka vullnet, ajo mund të arrihet brenda disa muajve.

Artikulli paraprakSA VLEN PAGA NË SHQIPËRI, DIFERENCA ME RAJONIN DHE PERËNDIMIN
Artikulli tjetërPD: SHQIPËRIA E FUNDIT NË RAJON PËR SHËRBIMET SHËNDETËSORE, SHKAKTAR JANË KONCESIONET KORRUPTIVE