Një tjetër lajm i mirë për Vllazninë. Pas rikthimit të Çinarit nga dëmtimi dhe, po ashtu, gjendjes së mirë shëndetësore të Pjeshkës, edhe mbrojtësi tjetër, Cicmil, pritet t’i rikthehet shpejt stërvitjes.

Ditën e djeshme ai ka qenë në Shkodër, teksa është konsultuar me mjekët e ekipit në lidhje me situatën aktuale të dëmtimit të tij. Nga sa ka bërë të ditur lojtari, ai do të pushojë edhe javën tjetër dhe më pas do t’i rikthehet sërish stërvitjes, çka do të thotë se rikthimi është pak më i shpejtë nga sa u tha në fillim.Pas dëmtimit që pësoi në ndeshjen me Kukësin, mjekët i rekomanduan një pushim 30-ditor, për shkak të lëndimit të ligamenteve të gjurit të djathtë. Por, rikuperimi duket se ka shkuar më mirë nga sa mendohej dhe, pas tri javësh, mbrojtësi malazez pritet t’i rikthehet stërvitjes. Të paktën kështu mendohet të ndodhë, megjithatë duhet pritur edhe pak ditë. Rikthimi i tij sa më i shpejtë është i domosdoshëm, sepse Vllaznia nuk ka alternativë tjetër për qendrën e mbrojtjes.Kujtojmë këtu që Vrapi, lojtari i cili po luan aktualisht në vendin e tij, ka dy kartonë të verdhë dhe në rast të ndëshkimit edhe me një tjetër, do t’i duhet të mungojë në ndeshjen pasardhëse. Për këtë arsye, Cicmil duhet të rikthehet sa më shpejt në skuadër, për të dhënë kontributin e tij tashmë që kampionati sa vjen e vështirësohet.

Artikulli paraprak“QËNDRUESHMËRIA FINANCIARE” E OJF-ve
Artikulli tjetërGRABITET MAKINA E BANKËS QË TRANSPORTOJNË PARA DREJT RINASIT