Gjermania është e përfshirë në procesin e reformës në drejtësi përmes asistencës së ekspertëve që ofron Euralius dhe si e tillë kërkon miratimin e kësaj reforme pa humbur më shumë kohë.

Ai që e bëri të qartë këtë ishte kryediplomati gjerman, Frank-Valter Steinmeier, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë. “Ajo që ndodhet në tryezë besoj është një projekt që do të kujdeset për më tepër pavarësi në sistemin e drejtësisë, premisa të besueshme antikorurpsion dhe shpresoj që ky projekt të mos mbetet në mes të rrugës, por të kalojë dhe të përmbyllet në një periudhë sa më të afërt”, tha në një konferencë për mediat me homologun Bushati, ministri i Jashtëm gjerman, Steinmeier. Dhe nëse klasa politike shqiptare dështon në miratimin e kësaj reforme, Steinmeier bëri të qartë se çfarë humbet vendi. “Kemi një dritare mundësish deri në raportin e vjeshtës të Komisionit, që do të përcaktojë suksesin e reformave dhe nëse përcaktohet që reforma në drejtësi nuk është përmbushur, atëherë procesi nuk mund të marrë shpejtësi”, u shpreh ai. Ai kërkoi reflektim nga palët politike, që të vendosin interesat e vendit mbi ato politike, ndërsa pati edhe një kritikë për debatin maxhorancë-opozitë. “Agresiviteti në debat që vëmë re hera-herës nuk mbështet vendimmarrjen në këtë drejtëim dhe do të duhet të kthehen tek çështjet që bashkojnë të dyja palët”, deklaroi Steinmeier. Në fund një këshillë e përbashkët për qeverinë dhe opozitën. “Për reformat nuk merr gjithmonë falenderime, madje shpesh kanë kosto që mund të reflektohen edhe në zgjedhje, por edhe në opozitë nuk vihet në pushtet duke refuzuar gjithçka. Një qeveri duhet të marrë rrisqet përkatëse për reformat, po ashtu edhe opozita nuk duhet të mendojë për avantazhet afatshkurtra, por për ato afatgjata për të mirën e vendit”, tha ai.