Disa persona të cilët u vinin gjoba bisnesmenëve në Shkodër janë arrestuar nga policia.

Personat u arrestuan gjatë një aksioni të forcave RENEA, i cili u zhvillua në një lokal në Shirokë.

Burimet bëjnë me dije se një prej të arrestuarve është shtetasi M. Lici.

Po të njëjtat burime shpjegojnë së këta persona u vinin gjobat në formën e pagave mujore, ku nëse biznesmenët kundërshtonin merrnin kërcënime.

Njoftimi i prokurorisë: Me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, gjykata ka caktuar masën e sigurimit për disa persona nga Shkodra, të cilët kishin krijuar një strukturë kriminale për të mbledhur me anën e dhunës, kanosjes dhe kërcënimeve shuma parash nga shitësit e Tregut të Zdrales, të Rrugës së Gjerë të Kirasit, etj.

Prokuroria për Krime të Rënda ka krijuar dyshime të arsyeshme se ky grup personash është i dyshuar për veprat penale të “Shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie” dhe “Krijimit të Grupit Kriminal”. Prokuroria për Krime të Rënda ka zhvilluar një hetim disa-mujor, në bazë të informacionit të përcjellë nga ana e Drejtorisë së Policisë Vendore Shkodër.

Në kuadër të këtij hetimi rezultoi se drejtuesit e këtij grupi kriminal angazhonin anëtarët e tjerë të grupit që, në çdo fund muaji të merrnin nga çdo tregtar në tregjet e sipërpërmendura shumat nga 1000 lekë deri në 3000 lekë. Numri i tregtarëve që kanë qenë të detyruar të paguajnë këto shuma “mujore” është tepër i lartë.

Nga veprimet hetimore të Prokurorisë për Krime të Rënda rezulton se ky grup ka qenë aktiv, të paktën që nga Tetori 2016, kohë kur është regjistruar procedimi penal kundër tyre. Sipas të dhënave hetimore, ky grup, fillimisht ka larguar me forcë nga ky aktivitet kriminal një tjetër grup, gjithnjë nëpërmjet dhunës dhe kërcënimit dhe më pas ka operuar vetë duke detyruar tregtarët që të paguanin “taksën mujore” tek ata.

Anëtarët e grupit kishin për detyrë që të zbatonin urdhërat e drejtuesve të grupit, si edhe të raportonin mbi lëvizjet e punonjësve të policisë në zonën e influencës së tyre, apo dhe për persona të panjohur, automjete që janë pranë tyre apo deportojnë në zonën ku ata banojnë dhe ushtrojne “aktivitet”.

Njëkohësisht këta shtetas, në ditët e fundit të çdo muaji, kalojnë në lokalet, apo dyqanet, në tregun Zdrale Shkodër duke mbledhur lekët, duke raportuar dhe dorëzuar lekët e mbledhura tek drejtuesit e grupit. Organizatorët e grupit kriminal, pasi u jepnin porositë anëtarëve të Grupit, i dërgonin me makinë në zonën e tregut dhe këta takoheshin me çdo tregtar dhe i menin shumat, madje duke mbajtur dhe bllok ku shënoheshin personat që paguanin.

Ky aktivitet kriminal është provuar se është shtrirë në kohë nga muaji tetor 2016 deri në muajin shkurt 2017. Pra, nga hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda rezulton se kemi të bëjmë me disa persona që kanë njohje dhe lidhje midis tyre, që kanë bashkëpunuar me njëri-tjetirn në kryejne e shumë veprave penale me qëllim fitimi, si shtrëngimi me anën e kanosjes për marrjen e pasurisë.

Ky bashkëpunim nuk është i rastësishëm, pasi anëtart e tij kanë njohje me njëri-tjetrin, ka një shtrirje të aktivitetit kriminal të provuar të paktën prej 4 muajsh.

Në bazë të hetimit të deritanishëm, gjykata për Krime të Rënda pranoi kërkesën e Prokurorisë për Krime të Rënda dhe caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për disa persona, masa të cilat u janë dorëzuar Policisë së Shtetit për t’i zbatuar.

/ Star Plus TV /

 

Artikulli paraprakVOLEJ, PARTIZANI-VLLAZNIA 3-2, FINALJA E KUPËS
Artikulli tjetër“OPOZITA MUND TË KËRKOJË DHE QEVERI HIDRAULIKE”