Larg terrorit e frikës nga talebanët, afganët e akomoduar në Qytet Studenti në Tiranë shprehen se tashmë ata ndihen shumë më të qetë. E mes afganëve që kanë mbërritur në vendin tonë është edhe një gazetar, i cili tha për mikrofonin e kolegëve të tij në Shqipëri se në vendin tonë ndihet mirë.

Për situatën në Kabul ai tregon se është shumë e keqe, ndërsa shton se plani i tyre është që të qëndrojnë për disa javë në Shqipëri dhe më pas të largohen në SHBA.

“Jam mire. Situata në Kabul është shumë e keqe. Jam gazetar, njësoj si ju, është mirë këtu. Është dita ime e parë këtu dhe për koleget e mi, plani ynë është të rrime këtu për disa ditë dhe me pas do shkojmë në vende të tjera”, shprehet ai.

Një student nga Afganistani thotë se talebanët janë të rrezikshëm dhe se shpreson që situata në vendin e tij të bëhet më mirë.

“Situata është e keqe, por shpresoj te behet me mire. Ne jemi studentë, talebanët janë të rrezikshëm”, ka thënë ai.

Të dy të rinjtë ishin pjesë e grupit prej 154 personave që mbërritën gjatë natës në vendin tonë. Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, u shprehën se shumica prej tyre janë aktivistë, gazetarë e studentë, që u rrezikohej jeta në Afganistan. Në total deri më tani në vendin tonë kanë ardhur 275, 121 prej të cilëve janë strehuar në hotele në Durrës, ndërsa pjesa tjetër në konviktet e Qytet Studentit në Tiranë.

Në Shqipëri pritet të strehohen 4000 afganë të cilët do të qëndrojnë për 1 vit, deri sa ata të marrin vizën për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por nëse dikush prej tyre do të qëndrojnë përgjithmonë, është i lirë për ta bërë.