Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve ka njoftuar nisjen e një aksioni kombëtar për kontrollin e përdorimit të ujit të pijshëm nga lavazhet në të gjithë vendin. Në fokus të kontrolleve do të jenë subjektet që përdorin ujin e rrjetit publik për larjen e automjeteve, praktikë që sipas AKUK nuk lejohet nga Kodi i Furnizimit me Ujë.

Lavazhet që aktualisht furnizohen me ujë të pijshëm nga rrjeti publik kanë afat deri më 31 tetor për ta ndërprerë këtë praktikë dhe për të siguruar një burim alternativ të ligjshëm.
AKUK u bën thirrje subjekteve që të mos presin nisjen e kontrolleve, por të marrin masat brenda afatit të përcaktuar. Pas datës 31 tetor, kontrollet do të intensifikohen dhe për shkeljet do të zbatohen masat administrative të parashikuara nga legjislacioni.

Drejtori i Përgjithshëm i AKUK, Fludian Çuka, ka paralajmëruar gjithashtu se nuk do të ketë tolerim për lidhjet e paligjshme në rrjetin e ujësjellësit. AKUK thekson se ndërhyrjet e paligjshme në rrjet ndikojnë në rritjen e humbjeve të ujit dhe mund të cenojnë presionin dhe funksionimin normal të sistemit, duke ndikuar edhe në furnizimin e qytetarëve. Aksioni do të zhvillohet në të gjithë territorin e vendit, ndërsa për çdo rast të konstatuar do të ndiqen procedurat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakFESTIVALI “IDROMENO” NË SHKODËR
Artikulli tjetërDEMO DHE HITA NË SHKODËR, NË FOKUS RENDI DHE SIGURIA