Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha të shtunën se plani i propozuar për paqen në Ukrainë, si dhe propozimet e fundit të OKB-së për të ringjallur marrëveshjen e Detit të Zi për grurin, të ishin të dyja “jo realiste”. Zoti Lavrov foli pas një jave diplomacie intensive globale gjatë mbledhjes vjetore të udhëheqësve botërore në selinë e OKB-së në Nju Jork, ku Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë kërkuan të përforcojnë mbështetjen për Kievin ndërsa lufton agresorin rus.

“Kjo është tërësisht e pamundur”, tha zoti Lavrov për një plan paqeje prej 10 pikash të nxitur nga Kievi. “Nuk është e mundur të zbatohet kjo. Nuk është realiste dhe të gjithë e kuptojnë këtë, por në të njëjtën kohë, ata thonë se kjo është baza e vetme për negociata”.

Ai tha se konflikti do të zgjidhej në fushën e betejës nëse Kievi dhe Perëndimi do të mbanin atë qëndrim. Lavrov shtoi se Moska u largua nga marrëveshja e grurit sepse nuk ishin realizuar premtimet e bëra Rusisë, mes tyre heqja e sanksioneve ndaj një banke ruse dhe rilidhjen e saj me sistemin global SWIFT. Ai tha se propozimet e fundit të Kombeve të Bashkuara për të ringjallur marrëveshjen e eksportit për produktet bujqësore ukrainase ishin “thjesht jo realiste”. Lavrov tha se do të vizitojë Phenianin muajin e ardhshëm për të vazhduar negociatat pas marrëveshjeve të fundit të bëra nga Presidenti rus Vladimir Putin dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un në Moskë.

Artikulli paraprakZJARRET NË VEND, BALLA: TË MBROHEN ZONAT E BANUARA
Artikulli tjetërSHBA/ STUHIA “OFELIA” SHKAKTON RREBESHE SHIU E PËRMBYTJE