NGA TË SHTËNAT ME ARMË NË DREJTIM TË POSTBLLOKUT TË POLICISË NUK KA PASUR TË LËNDUAR. Katër persona të paidentifikuar kanë qëlluar mbrëmjen e së martës me breshëri automatiku postbllokun e policisë në fshatin Lazarat. 

Agresorët udhëtonin me një fuoristradë dhe mësohet se nuk i janë përgjigjur thirrjes së policisë për të ndaluar. Policia u vu në ndjekje te tyre dhe pikërisht në këtë moment personat në fuorsitradë kanë qëlluar në drejtim të uniformave blu, por fatmirësisht nuk janë shënuar të lënduar. Më pas të armatosurit kanë braktisur mjetin që rezultoi të ishte me targa false dhe janë strehuar në fshat. Duke marrë shkas nga kjo mësohet se pese grupe të Forcave Speciale dhe RENEA të ardhura nga Tirana se bashku me efektivë të policisë së Gjirokastrës kanë zbarkuar në Lazarat, ndërsa po kryhet kontrolli i imtësishëm i të gjithë territorit të fshatit për të identifikuar dhe gjetur autorët e kësaj ngjarjeje. Në Gjirokastër ka mbërritur edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, i shoqëruar nga drejtues të tjerë të lartë të policisë.  Nga të shtënat me armë në drejtim të postbllokut të policisë nuk ka pasur të lënduar, ndërsa vijojnë hetimet intensive për identifikimin e autorëve që qëlluan në drejtim të forcave te rëndit. Ky fshat prej kohësh është bërë objekt i aksioneve të policisë për arrestimin e personave të shpallur në kërkim për kultivim të lëndëve narkotike. Në Lazarat prej 9 muajsh vepron edhe një postë policie, e cila merr përsipër mbarëvajtjen e rendit dhe qetësisë. Ky incident vjen nëntë muaj pas superaksionit të Policisë së Shtetit në Lazarat për asgjësimin e çdo rrënje kanabisi, uniformat blu janë rikthyer sërish në fshatin e konsideruar deri para një viti si “Kolumbia e drogës”. Ky aksion shenoi nderhyrjen e pare te policise ne “republiken e droges”.