U zhvilluan ditën e martë punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër. Përpara fillimit të punimeve të kësaj Asambleje, u mbajt një minutë heshtje në nderim të figurës së madhe të futbollit shkodran dhe atij shqiptar, Ramazan Rragami, që u nda nga jeta pak kohë më parë.

Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, Bardhyl Jera, i pranishëm në këto punime uroi të gjithë anëtarët për punën e kryer në këto vite dhe siguroi të gjithë se mbështetja e FSHF-së do të jetë maksimale për të zhvilluar gjithmonë e më shumë futbollin në rajonin e Shkodrës.

“I nderuar profesor Cungu. Të nderuar anëtarë të Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër,

Në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit dëshiroj t’ju falenderoj që jeni sot këtu dhe t’ju uroj punime të mbara Asambles tuaj.

Loro Boriҫi, ky stadium gjigand që mban emrin e një prej figurave më të mëdha të futbollit shkodran dhe atij shqiptar, është treguesi i arritjeve tona të përbashkëta dhe i punës së madhe të kryer nga Federata Shqiptare e Futbollit në drejtim të infrastrukturës sportive kudo nëpër Shqipëri.

Përpara se të mbyll fjalën time, dua t’ju ftoj të gjithëve që sot të merrni vendime të drejta në të mirë të futbollit në rajonin tonë. Puna dhe menaxhimi që ju do të bëni për futbollin në Rajonin e Shkodrës do të jetë e rëndësishme edhe për zhvillimin e futbollit në të gjithë vendin. Unë besoj shumë se ju, trajnerë e edukatorë që keni rritur me qindra futbollistë që na bëjnë krenar në stadiumet e Shqipërisë dhe gjithë Europës, do të jeni të aftë për të zhvilluar një proces zgjedhor të qetë dhe të suksesshëm në të gjitha drejtimet.

Ju falenderoj shumë dhe ju garantoj të gjithëve ju se mbështetja e FSHF-së për zhvillimin e futbollit në vitet në vijim do të jetë maksimale.

Faleminderit dhe punë të mbarë!”, theksoi në fjalën e tij Bardhyl Jera.

Më tej, punimet vazhduan sipas rendit të ditës, ku si pikë kryesore ishte zgjedhja e kryetarit të Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër, ku ishin dy propozime, Kujtim Shaba dhe Lazer Matija. Matija u zgjodh kryetari i ri i SHRF Shkodër duke pasuar Armando Cungun. Në raundin e parë Matija mori 14 vota përballë 9 votave për z.Shaba, ndërkohë që në raundin e dytë Matija mori 15 vota dhe Kujtim Shaba 8 vota.

Në fjalën e tij, Matija falendëroi anëtarët e SHRF Shkodër për mbështetjen dhe zgjedhjen si kryetar i kësaj shoqate dhe u zotua se do të bëj maksimumin për të zhvilluar më tej futbollin në rajonin sportiv Shkodër.

“Është një moment i veçantë për mua dhe futbollin në rajonin e Shkodrës duke qënë se sot u zhvilluan zgjedhjet. Shoqatat më zgjodhën mua si Kryetar të ri dhe do punoj e kontribuoj për ta rrit cilësinë e futbollit në shoqatën tonë, për ta bërë një shoqatë model ashtu siç i takon djepit të futbollit shqiptar. Dua të falenderoj të gjitha shoqatat që më propozuan dhe më votuan por edhe ata që votuan për kandidatin tjetër.

Ne do të punojmë të gjithë sëbahku që të rrisim cilësinë e futbollit në shoqatën tonë. Mendoj se ishte nje proces shumë i mirë, një proces transparent, zgjedhjet më demokratike që mund të zhvilloheshin ashtu siç i shkon Shkodrës, me transparencë dhe mirëkuptim. Edhe kundërshtari im e pranoi rezultatin dhe mendoj se kjo është fitorja më e madhe: pranimi i rezultatit nga të gjitha palët”, përfundoi Matija.

Artikulli paraprakZGJEDHJET PËR SHOQATËN RAJONALE TË FUTBOLLIT, NË SHKODËR DEL FITUES LAZËR MATIJA
Artikulli tjetërOBOT, DIGJET BANESA, DY TË MOSHUAR NË QIELL TË HAPUR