
Pas 35 vitesh pritje, 30 objektet e kultit të krishterë në Mirditë janë pajisur me çertifikata pronësie. Lejet e legalizimit iu dorëzuan Ipeshkvit të Rrëshenit, Imzot Gjergj Meta, në prag të festës së Pashkëve, nga drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Lezhë, Altin Gjergji.Sipas tij, krahas detyrimit ligjor, ky është një akt vlerësimi për të gjithë ata që kontribuan për të ruajtur këtë trashëgimi kulturore dhe shpirtërore.
Teksa falënderoi Kadastrën për përmbylljen e procesit të legalizimeve të kishave në Mirditë, Ipeshkvi i Rrëshenit, Imzot Gjergj Meta, kërkoi që të punohet edhe për rikthimin e të gjitha pronave të klerit katolik të konfiskuara gjatë komunizmit.
Falë punës së dy viteve të fundit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Lezhë, është bërë e mundur pajisja me certifikata pronësie e 90 % e objekteve të klerit katolik në qarkun e Lezhës dhe proçesi pritet të përmbyllet plotësisht brenda këtij viti.






