
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Byroja Shqiptare e Sigurimit kanë marrë një vendim për uljen e cmimit të primit të sigurimit për Karton Jeshil. Sipas vendimit, makinat shqiptare që udhëtojnë drejt Malit të Zi do të paguajnë vetëm 50€ në vit për Karton Jeshil.
Të gjithë makinat me targa shqiptare që udhëtojnë drejt Malit të Zi, nga shkurti do të kenë një zbritje të çmimit të primit të sigurimit për “Karton Jeshil”. Duke filluar nga data 1 shkurt 2025 qytetarët shqiptarë do të kenë mundësinë të lëvizin drejt Malit të Zi me policën e sigurimit “Kartoni Jeshil” për autoveturat me prim të reduktuar 50 Euro, me afat 1 vjeçar.
Në përputhje me rekomandimet e Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), për marrjen e masave të ndërmjetme me qëllim lehtësimin e lëvizjes së lirë të mjeteve, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ndërmori një proces konsultimi dhe koordinimi me Byronë Shqiptare të Sigurimit (BSHS) për marrjen e këtij vendimi.
Bazuar në vendimin e Byrosë Shqiptare të Sigurimit, qytetarët shqiptarë mund të pajisen me policën e sigurimit “Karton Jeshil” me vlefshmëri 12-mujore nga data e lëshimit, e cila mbulon ekskluzivisht territorin e Malit të Zi. Polica e sigurimit mund të blihet në pikat e kalimit kufitar të Muriqanit, Hanit të Hotit, Grabomit dhe Vermosh.
Kartoni Jeshil është policë sigurimi e detyruar për të gjitha automjetet e regjistruara në Shqipëri të cilat udhëtojnë në një nga vendet anëtare të Këshillit të Byrove të Siguruesve Motorikë. Kartoni jeshil mbulon përgjegjësinë civile të mbajtësit të mjetit motorik.
Kjo policë sigurimi mbron drejtuesin dhe automjetin e tij nga dëmet (materiale dhe jo materiale), që i shkaktohen palëve të treta në rast aksidenti jashtë territorit të vendit tonë.
Duke qenë se lëvizjet e qytetarëve drejt Malit të Zi janë më të pakta në krahasim me ato të bizneseve, nga kjo zbritje pritet të përfitojnë më tepër këto të fundit, për shkak të udhëtimeve të shpeshta që realizojnë në shtetin fqinj për qëllime tregtare. Kjo masë lehtësuese pritet të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në shtimin e shkëmbimeve ekonomike ndërkufitare me Malin të Zi dhe më pak në vizitat për qëllime turistike.