Ky është momenti kur persona ende të paidentifikuar vendosin një sasi lëndë eksplozive në godinën në pronësi të shtetasit Fran Kolbuçaj në qytetin e Shkodrës.
Shpërthimi me amonit malor i prodhuar në mënyrë artizanale ndodhi rreth orës 2:00 në mesnatë në zonën e ish fermentimit në periferi të Shkodrës. Nga ky shpërthim bëhet e ditur se ka vetëm dëme materiale. Pas kësaj ngjarje policia nuk ka arritur ende që të bie në gjurmët e autorëve ndërsa po punohet për identifikimin e më pas arrestimin e tyre. Njëri prej autorëve e ndez lëndën eksplozive përballë ndërtesës tre katëshe dhe më pas afrohet duke e hedhur në derën kryesore të ndërtesës në katin e parë dhe largohet me shpejtësi ndërsa mbante në kokë një kapuç për t’u mos identifikuar.
Autori shoqërohej edhe nga një person tjetër dhe të dy bashkë largohen pa lënë gjurmë. Në momentin e shpërthimit shtetasi Fran Kolbuçaj, 65 vjeç ndodhej në katin e tretë dhe ka dalë në balkon për të parë se çfarë kishte ndodhur por nuk e ka dalluar se lënda eksplozive është vendosur në lokalin e tij në katin e parë. 65 vjeçari ka rënë sërish në gjumë duke menduar se ngjarja kishte ndodhur në një vend tjetër dhe kur është zgjuar rreth orës 5:00 të mëngjesit ka shikuar se shpërthimi kishte të bënte me lokalin e tij.
Pronari ka njoftuar forcat e policisë të cilët kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të vendosjes së lëndës eksplozive. Ndërkohë 65 vjeçari ka deklaruar se nuk e ka idenë se kush mund të jenë autorët pasi sipas tij nuk ka asnjë konflikt me askend. Policia vijon punën për zbardhjen e plotë e kësaj ngjarje të ndodhur në Shkodër.