Kryeministri Edi Rama i ka dërguar një letër urimi homologut të tij kosovar, Albin Kurtit, i sapo zgjedhur kryeministër i Qeverisë së Kosovës.

Rama uron Kurtin për detyrën e re në drejtimin e vendit, teksa riafirmon vendosmërin për të zgjeruar dhe intensifikuar marrëdhëniet mes dy vendeve.

Ai thekson se ekzistojnë të gjitha mundësitë dhe potencialet për ndërmarrje të rëndësishme e projekte të guximshme në shumë sektorë. Kryeministri Rama e ka ftuar Kurtin për të vizituar Shqipërinë në një kohë të përshtatshme për të. Letra i është dorëzuar Kurtit nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.

LETRA E PLOTË
Shkëlqesia Juaj, I dashur Albin,
Zgjedhja Juaj në detyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës më jep kënaqësinë t’Ju përcjell urimet e mia për sukses në drejtimin e vendit dhe përballimin e sfidave të qeverisjes.
Duke riafirmuar vendosmërinë time dhe të Qeverisë që unë kryesoj për t’i zgjeruar e intensifikuar më tej marrëdhëniet tona, unë besoj fort se tashmë ekzistojnë të gjitha mundësitë dhe potencialet për ndërmarrje të rëndësishme e projekte të guximshme në shumë sektorë, përfshirë përballjen e përbashkët me COVID-19. Këto ndërmarrje do t’i kontribuojnë përmirësimit të jetesës dhe përparimit e integrimit më të shpejtë të shqiptarëve.
Unë mbetem gjithashtu besimplotë se Ju dhe ekipi Juaj qeverisës do t’i kapërceni me sukses sfidat me të cilat përballet Republika e Kosovës në përparimin e saj të gjithanshëm demokratik e integrues në rajon dhe më gjerë, drejt rrugëtimit të saj euroatlantik.
Me urimet më të mira për sukses të Kabinetit Tuaj qeveritar dhe me ftesën e përzemërt për të vizituar Shqipërinë në një kohë të përshtatshme për Ju, lutem pranoni, Shkëlqesia Juaj, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.
Sinqerisht Edi Rama.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakKOMBËTARJA ZBARKON NË ANDORRA, EDI REJA NUK KURSEN ANJË, NË FUSHË ZBRESIN MË TË MIRËT
Artikulli tjetër“KËTO ZGJEDHJE NUK JANË PËR BASHËN APO PËR RAMËN, POR PËR FAMILJEN”, KANDIDATI PËR DEPUTET I PD BARDH SPAHIA TAKIM NË VELIPOJË