Lëviznin me 1 milionë euro, 3 bosat shqiptarë u kapën në Itali

Një operacion antidrogë ka çuar në pranga tre shqiptarë që ishin duke lëvizur me 1 milionë euro drogë me vete. Lajmi bëhet i ditur nga mediat italiane sipas të cilave në pranga ka rënë Luan Kasalla, Fatos Sadiku e Fisnik Sulmina. Tre shqiptarët e arrestuar në Rimini, janë kapur me 4 kilogramë kokainë të pastër, 2 kilogramë marijuanë dhe 30 mijë euro kesh. Shqiptarët ishin prej kohësh nën vëzhgimin e agjentëve të policisë dhe në momentin e mbërritjes së sasisë së drogës nga veriu i Italisë atyre u janë vënë prangat. Shqiptari Kasalla është ndjekur deri në banesën e tij ku iu gjetën 2 kilogramë marijuanë të ndarë në dy paketime dhe një pako me kokainë, materiale për paketimin dhe 21 mijë euro. Në këtë moment. ndërsa policia po kontrollonte banesën e tij, mbërrijnë dhe dy shtetasit e tjerë shqiptarë me automjetin e tyre tip “Nisan” ku u zbuluan dhe sekuestruan 9 mijë euro cash dhe 4 kg kokainë 93% e pastër. Në automjetin e Sadikut dhe Sulminës u gjetën dhe disa aparatë celulari si dhe materiale për paketimin e drogës. Sipas policisë italiane banda e shqiptarëve ishte më aktivja në zonë për shpërndarjen e drogës. Ndërkohë nëse droga do të shitej në tregun vendas, do të kishte një vlerë prej rreth 1 milionë euro.