
Lezha kremtoi Ditën e Arbëreshëve, e cila do të kthehet në një traditë të përvitshme çdo 1 mars. Që prej orëve të paradites së kësaj të diele, qyteti është përfshirë në festë, me një sërë aktivitetesh si panairi i artizanëve nga e gjithë Shqipëria, ekspozita, takime letrare, performanca artistike dhe koncert festiv, duke prezatuar kulturen dhe traditen kombetare.
Kryetari i Bashkisë, Pjerin Ndreu, u shpreh se Dita e Arbëreshëve, e cila do të mbahet çdo vit në prag të 2 Marsit – Ditës së Besëlidhjes së Lezhës – është mënyra më e mirë për prezantimin e kulturave dhe promovimin e turizmit, ndersa në të njëjtën linjë ishte edhe kryetari i Bashkisë së San Demetrio Corone në Itali, Ernesto Madeo.
Pjesë e rëndësishme e Ditës së Arbëreshëve në Lezhë ishte edhe Panairi Kombëtar i Artizanatit, ku u prezantua tradita dhe kultura e secilës zonë.
Me Ditën e Arbëreshëve startuan veprimtaritë e shumta që do të organizohen në kuadër të 2 Marsit, 582-vjetorit të Besëlidhjes, duke e kthyer Lezhën në kryeqendrën e bashkimit dhe krenarisë kombëtare.






