
Brenda verës së ardhshme, Lezha pritet të ketë pedonalen e saj. Investimi me vlerë 62 milionë lekë, i financuar nga buxheti i Bashkisë, ka hyrë në fazën e zbatimit, ndërsa projekti parashikon një transformim më të gjerë të hapësirave publike në qytet.Përtej pedonales, synimi është që Lezha të mos mbetet vetëm një qendër urbane, por të ofrojë më shumë mundësi për argëtim, çlodhje dhe aktivitete për qytetarët. Kryetari i Bashkisë, Pjerin Ndreu, ka prezantuar planin për zhvillimin e zonës, duke bërë të ditur edhe mënyrën se si do të organizohen hapësirat e reja.
Krahas projektit të pedonales, vëmendje i është kushtuar edhe krijimit të hapësirave të tjera publike. Ndreu ka bërë të ditur se në buxhetin e vitit të ardhshëm janë parashikuar financime për disa ndërhyrje të reja, që synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe shtimin e ambienteve në shërbim të komunitetit.
Me këto investime, Lezha synon të ndryshojë gradualisht profilin e saj urban, duke krijuar më shumë hapësira të aksesueshme për banorët dhe duke e kthyer qytetin në një mjedis më tërheqës edhe për vizitorët. Sfida mbetet realizimi i projekteve brenda afateve dhe vënia e tyre në funksion të përditshmërisë së qytetarëve.


