
Lezha solli në kujtesë heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Me rastin e 621-vjetorit të lindjes së tij, u organizua një veprimtari përkujtimore në Memorialin e Skënderbeut, ku morën pjesë autoritete lokale, qytetarë, si dhe përfaqësues nga të gjitha trevat shqipfolëse dhe diaspora.
Nënkryetarja e Bashkisë Lezhë, Eueda Molla, dhe prefekti i qarkut Lezhë, Taulant Malshi, vlerësuan kontributin e Gjergj Kastriotit në historinë e kombit shqiptar.
Aktiviteti, i organizuar nga Bashkia Lezhë, u përshëndet edhe nga përfaqësues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët theksuan rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë historike dhe frymës së bashkimit kombëtar.
Veprimtaria përkujtimore u mbyll me një koncert muziko-letrar, duke e kthyer këtë përvjetor në një moment reflektimi, krenarie dhe bashkimi për të gjithë shqiptarët.






