Brenda pak muajsh qyteti i Lezhës pritet të ketë varrezat e reja publike. Investimi i Bashkisë Lezhë, me vlerë rreth 40 milion lekë të reja, synon të zgjidhë një shqetësim të kahershëm për mijëra banorë, të cilët prej vitesh janë përballur me mungesë hapësirash në varrezat ekzistuese në Grykëzezë dhe me përmbytjet që preknin varrezat në Gocaj. Ecuria e punimeve të nisura prej disa javësh u inspektua nga Kryetari i Bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu, sipas të cilit varrezat që po ndërtohen në zonën e Merqisë do të krijojnë kapacitete të mjaftueshme për të paktën 100 vitet e ardhshme dhe projekti do të shoqërohet me gjithë infrastrukturën e nevojshme. Paralelisht, bashkia është në diskutime për ndërtimin e dy varrezave të tjera, njëra për zonën e Zadrimës dhe tjetra për Njësitë Administrative Kolsh–Zejmen dhe Shënkoll.
Konform ligjit dhe rregullores, Bashkia Lezhë do të ndërhyjë edhe në zhvendosjen e varrezave që përmbyteshin në fshatin Gocaj, në ato të rejat që po ndërtohen.
Ndërtimi i varrezave të reja në Lezhë vjen në një kohë kur në disa zona është shfaqur fenomeni i zaptimit të hapësirave për shkak të mungesës së vendeve për varrim, ndërsa prej vitesh banorët kanë kërkuar një zgjidhje të qëndrueshme për këtë problem.

Artikulli paraprakVRASJA E NIKULAJ, PORTUGEZI 3 ORË MBROJTJE NË GJYKATË
Artikulli tjetërZOGAJ MES INVESTIMEVE DHE TURIZMIT