
Policia e Lezhës ka finalizuar fazën e dytë të operacionit policor të koduar “Koordinimi”, duke vënë në pranga autorin e dyshuar të një serie vjedhjesh të kryera nën kërcënimin e armës.
Si rezultat i hetimeve të thelluara dhe informacioneve operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, Lezhë, Mirditë dhe Seksionit të Mbështetjes Operacionale të Drejtorine Vendore te Policise Lezhë, në bashkëpunim me Drejtorine Vendore te Policise Tiranë, bënë të mundur kapjen në Tiranë të shtetasit Emiljan Nikolli, alias Emiljan Lleshi., 30 vjeç, banues në Mamurras, i shpallur në kërkim.
30-vjeçari dyshohet se gjatë vitit 2025 dhe janarit 2026 ka kryer 11 vjedhje, nga të cilat 7 nën kërcënimin e armës, përfshirë vjedhje në dy karburante, një dyqan dhe ndaj 4 taksistëve, ku dyshohet se ka përdorur një pistoletë lodër. Gjithashtu, ai dyshohet për djegien e pjesshme të një automjeti në Tiranë dhe për kanosje ndaj ish-vjehrrës së tij. Ndaj tij rëndojnë veprat penale “Vjedhja me armë”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kanosja”.Në momentin e ndalimit, 30-vjeçari ndodhej në shoqërinë e shtetasit G. D., 42 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit të banesës së këtij të fundit, policia gjeti dhe sekuestroi armë gjahu, fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe një aparat celular. 42-vjeçari u procedua penalisht për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të gjahut” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”.Policia vijon punën për kapjen e shtetasit Aurel Luli. i dyshuar si bashkëpunëtor i 30-vjeçarit. Identifikimi i autorëve është bërë gjatë fazës së parë të operacionit, të zhvilluar në bashkëpunim me DVP Kukës.Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e rasteve të tjera të vjedhjeve që dyshohet se janë kryer nga këta shtetas.






