
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për 3 shtetas të mitur (dy prej tyre 17 vjeç, tjetri 16 vjeç), të tre banues në Lezhë, pasi kanë goditur me grushte 17-vjeçar.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, pasi më datë 28.04.2025, shtetasi M. P. ka njoftuar Policinë, se në orët e para të mëngjesit, 2 shtetas kanë vjedhur me dhunë një shumë parash 290.000 lekë të rinj dhe një armë gjahu, në banesën e tij, në fshatin Gajush. Shërbimet e Policisë vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. B., 37 vjeç, banues në Kosovë, sepse dje, duke drejtuar automjetin, në dalje të tunelit të Kalimashit, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe si pasojë automjeti është përplasur me një autobus. Nga aksidenti janë dëmtuar lehtë shtetasi M. B. dhe pasagjerja në automjetin e tij, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.