KRYETARI I BASHKISË KA PREMTUAR SE KY PROBLEM DO TË MARRË ZGJIDHJE SHUMË SHPEJT. Dhjetëra familje të komunitetit rom në qytetin e Lezhës kanë protestuar këtë të hënë para bashkisë së qytetit, për mungesën e energjisë. Prej disa ditësh ata janë lënë pa drita, pasi rezultojnë debitorë. Por banorët thonë se nuk kanë para për të shlyer faturat, pasi iu është ndërprerë edhe ndihma ekonomike. Kryetari i bashkisë ka premtuar se ky problem do të marrë zgjidhje shumë shpejt.

Por nga ana tjetër, qindra abonentë në Lezhë që në orët e para të mëngjesit janë vendosur pranë zyrave të OSHEE-së, në pritje për të paguar faturat dhe për të lidhur kontratën që do t’u mundësojë ta paguajnë me këste, pjesën e prapambetur të detyrimit. E ndërsa qytetarët vijojnë të shlyejnë pagesat, drejtues të OSHEE-së pohojnë se shumë institucione shtetërore në Lezhë janë debitore me dhjetëra milionë lekë.