
Veprimtaritë e organizuara në Lezhë në kuadër të 588-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, u përmbyllën me një koncert homazh kushtuar jetës dhe veprës së tij, i cili u ndërtua mbi vepra korale dhe operistike shqiptare, romanca dhe pjesë skenike, të cilat kishin në epiqendër figurën epike të Skënderbeut.
Shfaqja u hap me një moment dramatik dhe simbolik, “Skena e vdekjes së Skënderbeut”, ku fjala e artistit Xhevat Limani dhe interpretimi i Era Hoxhës përcollën mesazhin se vetëm duke vlerësuar të kaluarën mund të ndërtojmë një të ardhme të ndritur.
Programi vijoi me himnin e vjetër shqiptar “Porsi fleta” dhe më pas me thirrjen atdhetare “Për mëmëdhenë, o trima luftëtarë”, nën dirigjimin e prof. dr. Arifikmet Xhemailit, ku kori “Akapella” solli me forcë dhe madhështi traditën e këngëve patriotike shqiptare.
Një nga momentet më prekëse të mbrëmjes ishte kënga arbëreshe “Kjani trima”, interpretuar nga artistja lezhjane Anjeza Qose, e shoqëruar nga violinë dhe piano, duke i dhënë veprës një ndjeshmëri të veçantë artistike.Në skenë shkëlqeu edhe sopranoja Era Hoxha, e cila interpretoi me ndjenjë të thellë këngët “Agimet shqiptare” dhe “Moj e bukura More”, duke rikthyer mallin, kujtesën historike dhe forcën e shpirtit kombëtar.Një moment i veçantë i koncertit ishte edhe prania e maestros Zhani Ciko, i cili u bashkua me korin “Akapella”, duke i dhënë mbrëmjes një dimension të lartë profesional dhe artistik.






