
E ngushtë dhe me kthesa të shumta, pa sinjalistikë. Rruga nacionale Balldre-Torovicë në Lezhë është kthyer në burim aksidentesh.
E rehabilituar gjashtë vite më parë, lëvizja në këtë segment është mjaft e frikshme dhe e rrezikshme, pasi gjerësia e rrugës është më pak se pesë metra dhe kalimi i dy mjeteve është thuajse i pamundur. Në këto kushte, për të shmangur aksidentet, drejtuesit e mjeteve detyrohen të devijojnë, duke dëmtuar dhe gomat e makinave.
Banorët e zonës dhe drejtuesit e mjeteve thonë se kjo rrugë është shumë e ngushtë dhe pa standarte, duke u kthyer në një shqetësim të madh për ta.
Rruga Balldre-Torovicë-Bent me gjatësi 17 km ka fluks të lartë lëvizje, kryesisht gjatë stinës së verës, pasi përdoret edhe nga pushuesit që frekuentojnë plazhin e Velipojës. Ndaj dhe zgjerimi i saj shihet si domosdoshmëri për të shmangur aksidentet.






